FMN-ja vlerëson miratimin e rregullores së BQK-së për paratë e gatshme e dinarin

FMN-ja vlerëson miratimin e rregullores së BQK-së për paratë e gatshme e dinarin

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se ka marrë vlerësim të lartë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pas përfundimit të suksesshëm të rishikimit të dytë të programeve Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF).

Sipas njoftimit që ka lëshuar BQK-ja, rishikimi i FMN-së thekson përkushtimin e BQK-së për reformën ambicioze institucionale, duke përfshirë rregulloret e reja të miratuara.

“FMN ka vlerësuar miratimin nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës të Rregullores së re për Operacionet me Para të Gatshme si të rëndësishme për përmirësimin e sistemit të pagesave, fuqizimin e kontrollit mbi qarkullimin e valutës, luftimin e parave të falsifikuara dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Rregullorja në fjalë rregullon përdorimin e euros si valutë e vetme ligjore për pagesa, ndalon funksionimin e institucioneve financiare të pa-licencuara dhe dekurajon transaksionet e mëdha me para të gatshme duke ndaluar riciklimin e bankënotave prej 500 euro”, thuhet në njoftim.

“Vlerësimi i FMN-së gjithashtu pranon se sistemi bankar mbetet i shëndoshë, bankat janë mirë të kapitalizuara, mirë të provizionuara, me likuiditet të lartë dhe profitabilitet. Kreditë jo-performuese (NPL) kanë mbetur të ulëta, dhe rritja reale e kreditimit, veçanërisht në kreditimin e ekonomive familjare ka qenë adekuate”.

Shpërndaje në: