FMN-ja duhet ta marrë Libran e Facebook-ut nën kontroll

FMN-ja duhet ta marrë Libran e Facebook-ut nën kontroll

Shoqata Libra po bëhet copash. Visa, Mastercard, PayPal, Stripe, Mercado Pago dhe eBay kanë braktisur aleancën e korporatave të udhëhequr nga Facebook për krijimin e Librës, kriptomonedhës së mbështetur me asete që synon të revolucionarizojë paranë ndërkombëtare. Më shumë korporata ka gjasa do të ndjekin këto si pasojë e presionit në rritje nga qeveritë që janë të vendosura për të ndaluar Librën që pa nisur ende.

Kjo është një gjë e mirë. Njerëzimi do të vuante shumë nëse Facebook do të lejohej të privatizonte sistemin ndërkombëtar të pagesave. Por, autoritetet që tani po mbysin Librën duhet të shohin nga e ardhmja dhe të bëjnë me të diçka novatore, të vlefshme dhe vizionare: ata duhet t’ia japin Librën, ose konceptin e saj bazë, Fondit Monetar Ndërkombëtar në mënyrë që ajo të mund të përdoret për të reduktuar imbalancat tregtare dhe të ribalancojë flukset financiare. Me të vërtetë, një kriptomonedhë e ngjashme me Librën mund të ndihmojë FMN-në të plotësojë qëllimin e saj fillestar.

Kur drejtori i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, shpalli Librën me fanfarë të madhe, ideja dukej shumë interesante dhe e padëmshme. Çdokush që ka një celular mund të ishte në gjendje të blinte kode Libra me monedhën vendëse dhe të përdorte metodat standarde, të tilla si karta debiti apo banking online. Këto kode mundej më pas të përdoreshin për pagesa te përdorues të tjerë të Librës, qoftë për të blerë mallra apo shërbime, ashtu edhe për të ripaguar borxhe.

Për të siguruar transparencë të plotë, të gjithë transaksionet do të menaxhoheshin nga teknologjia blockchain. Në një dallim të fortë me Bitcoin-in, gjithsesi, Libra do të mbulohej tërësisht me asete me vlerë reale.

Për të ankoruar Librën me asete reale, shoqata që po e mbështet atë premtoi të përdorë të ardhurat e krijuara prej saj krahas kapitalit fillestar të kontribuuar nga kompanitë anëtare (së paku 10 milionë dollarë secila), për të blerë asete financiare me likuiditet të lartë dhe me vlerë të mirë (të tilla si titujt e borxhit të SHBA-së). Duke marrë parasysh rolin udhëheqës të Facebook-ut, nuk ishte e vështirë të parashikohej një çast kur gjysma e të gjithë popullatës maxhorene të botës ose 2.4 miliardë përdoruesit aktivë të Facebook, mundej papritur të kishin një monedhë që i lejon ata të kryejnë transaksione me njëra-tjetrën duke shmangur pjesën tjetër të sistemit financiar.

Reagimi fillestar i autoriteteve ishte në mënyrë sikletotëse, negativ. Duke theksuar përdorimin potencial të Librës për aktivitete kriminale, ata ia dolën që të konfirmojnë dyshimin e libretarëve që, të përballur me kërcënimin e humbjes së kontrollit mbi monedhën, rregullatorët, politikanët dhe bankierët qendrorë do të pëlqejnë të shkatërrojnë që në fillesa novacionet monetare që sjellin çlirim prej tyre. Kjo është për të ardhur keq, për shkak se mundësuesi më i madh i aktivitetit të paligjshëm është keshi i stilit të vjetër, dhe, më e rëndësishme, për shkak se Libra mund të përbëjë një kërcënim sistemik për ekonomitë tona politike edhe nëse nuk do të përdorej kurrë për aktivitete kriminale apo financim terrorizmi.

Që të fillojmë me efektet negative të Librës mbi individët, duket të rikujtojmë përpjekjet e mëdha që shumica e vendeve kanë bërë për të minimizuar luhatshmërinë e vlerës së monedhave vendëse përballë monedhave të huaja. Si rezultat i këtyre përpjekjeve, njëqind euro apo dollarë do të blenë sot pak a shumë të njëjtat mallra si pas një muaji. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë në rast se këto 100 euro apo dollarë do të konvertoheshin në Libra.

Në varësi të faktit që Libra do të mbështetet nga asete të denominuara në shumë monedha, fuqia blerëse e një kodi Libra në secilin vend do të luhatet shumë më tepër se sa monedha vendëse. Libra mundet, në fakt, t’i ngjajë njësisë së mbajtjes së llogarive të FMN-së, të njohur si E Drejta Speciale e Tërheqjes, (SDR), e cila reflekton një mesatare të ponderuar të monedhave kryesore të botës.

Që të shohim se çfarë do të thotë kjo, mendoni që më 2015, kursi i këmbimit mes dollarit amerikan dhe SDR-së u luhat me 20%. Nëse një konsumator amerikan do të kishte konvertuar 100 dollarë në Libra në atë kohë, ata do t’i ishin nënshtruar agonisë së të parit se si kodet e tyre libra vlenin më pak ose më shumë ditë pas dite. Dhe sa i përket banorëve të vendeve në zhvillim, monedhat e të cilëve janë të prirur nga zhvlerësimi, luhatshmëria e Librës do të përshpejtonte zhvlerësimin e këtyre monedhave, do të rriste inflacionin vendës dhe do të lehtësonte arratisjen e kapitalit.

Që nga kolapsi financiar i vitit 2008, autoritetet kanë vuajtur për të menaxhuar inflacionin, punësimin dhe investimet me mekanizmat fiskalë dhe monetarë të cilët, para krizës, dukej se punonin mjaftueshëm mirë. Libra do të reduktojë më tutje kapacitetet e shteteve tona për të zbutur ciklet e biznesit. Efikasiteti i politikës fiskale do të vuajë për shkak se baza e taksimit pakësohet, ndërsa çdo pagesë transferohet në sistemin brenda Facebook-ut. Një tronditje edhe më e madhe pritet të godasë politikën monetare.

Për më mirë apo për më keq, bankat qendrore menaxhojnë sasinë dhe fluksin e parasë duhe tërhequr apo shtuar asete letër në stokun e mbajtur nga bankat private. Kur ata duan të stimolojnë aktivitetin ekonomik, bankat qendrore blejnë nga bankat private kredi komerciale, kredi me kolateral, depozita dhe asete të tjera. Bankat pas kësaj kanë më shumë para për të dhënë kredi. Dhe anasjelltas kur autoritetet duan të ftohin ekonominë. Por sa më e suksesshme të bëhet Libra, aq më shumë para do të transferohen nga llogaritë bankare te llogaritë Libra dhe aq më pak mundësi do të kenë bankat qendrore që të stabilizojnë ekonominë. Me fjalë të tjera, sa më e fortë të jetë zhvendosja te Libra, aq më e thellë do të jetë luhatshmëria dhe krizat që prekin njerëzit dhe shtetet.

Përfituesi i vetëm i një skeme të tillë do të jetë Shoqata e Librës, e cila do të arkëtojë të ardhura të jashtëzakonshme nga interesat nga e gjithë bota, të cilat do t’i akumulojë përmes përdorimit të një pjese të madhe të kursimeve botërore të tërhequra nga platforma e saj e pagesave. Shpejt, Shoqata do të bie në joshjen për të dhënë kredi për individët dhe korporatat, duke u transformuar nga një sistem pagesash në një bankë botërore që asnjë qeveri nuk do ta shpëtojë kurrë nga falimenti, nuk do ta rregullojë apo ta disiplinojë.

Këto të gjitha janë arsyet që e bëjnë rënien e Librës një gjë të mirë, krahas rrëzimit të ëndrrës së Zuckenberg për një monopol privat të pagesave në planetin tokë. Por ne nuk duhet që njëkohësisht me këtë të hedhum tutje një foshnjë teknologjike. Hileja është që t’ia besojmë zbatimin e kësaj ideje Fondit Monetar Ndërkombëtar, për llogari të shteteve anëtare, me mendimin që të rikrijojmë sistemin monetar ndërkombëtar në atë mënyrë që e kishte imagjinuar John Maynard Keynes në propozimin e tij të hedhur poshtë më 1944 në Konferencën Bretton Woods, për një sistem ndërkombëtar kleringu.

Që të krijohet ky Bretton Woods i ri, FMN-ja duhet të emetojë një kod të mbështetur nga teknologjia blockchain – të ngjashëm me libra – le ta quajmë atë Kosmos – kursi i këmbimit të së cilës me monedhat vendëse luhatet lirshëm. Njerëzit do të vijojnë të përdorin monedhat e tyre vendëse por e gjithë tregtia ndërkufitare dhe transfertat e parasë do të denominohen në Kosmos dhe do të kalojnë përmes llogarive të bankave qendrore të mbajtura nga FMN.

Deficitet apo surpluset tregtare mund të penalizohen përmes një takse për disbalanca ndërsa institucionet financiare private mund të ngarkohen me një tarifë në rastet e ndonjë shtimi fluksi të kapitaleve dalëse. Këto dy penalitete do të grumbullohen në një llogari të denominuar në Kosmos që operon si një fond botëror rezervë. Në një rast të tillë, të gjitha trasanksionet ndërkombëtare bëhen pa pengesa dhe tërësisht transparence ndërsa penalitete të vogla por jo të papërfillshme mbajnë nën kontroll disbalancat në tregti dhe në flukset e kapitalit, duke shërbyer edhe si një fond investimi i gjelbër dhe një fond investimi për rishpërndarjen e pasurisë nga Veriu në Jug të planetit.

Ide brilante që në duart e piratëve privatë mund të jenë me pasoja katastrofike, mund të vendosen në shërbim publik. Në këtë mënyrë ne mund të përfitojmë nga gjenialiteti i tyre pa vuajtur pasojat e anëve të tyre negative. /Project Syndicate/Në shqip nga: BIRN/

Shpërndaje në: