Fletë nga ditari i Jusuf Gërvallës, Ludwigsburg, më 13 janar 1980
“Rrudhat në ballin tim, mënyra si përpiqen ato, sa kam qenë në vendlindje kanë pasur domethënie. Për gruan time, ato kanë qenë shenja të njeriut të stërmunduar po të paepur, i cili e meriton dashurinë e saj. Për fëmijët, ato rrudha kanë qenë udhëkryqe, tek ka ndenjur pezull gjithë enigma e dashurisë dhe ashpërsisë, që kanë pasur peshë të caktuar në jetën e tyre, në edukatën e tyre.
Rrudhat mbi ballin tim, për mikun e vendlindjes, për aq sa kam pasur indikacione 34 vjet të jetës sime, kanë shprehur qartë pamundësinë për të fshehur ndjenjën e fuqishme të brengës për fatin e atdheut të robëruar; ato kanë treguar se janë dyer kurdoherë të hapura kah shpirti, për të gjithë ata që kanë halle të ngjashme.
Këtu në dhe të huaj, pushon së ekzistuari çdo domethënie e rrudhave të mia, e pulseve të mia të brendshme; në rrugë, në gazetë; në TV, ato „konsumohen“ këtu siç „konsumohet“ një langë automobili, një mbishkrim, një reklamë e margarinës, e sodës së teshave.
Megjithatë, sado që në fytyrën time nuk reflektohen më ato impulset e fuqishme të dashurisë e të urrejtjes, nganjëherë më ka rënë të kap vetëtimthi nga një dritë gati-gati identike me atë të dikurshmen, të njeriut në shtëpinë e vet; prapseprapë, vazhdimisht ndjenjat e mia, gjithë qenia ime sikur janë kyçur fortë; gjithë damarët sikur janë vënë me shtresa të forta e të ftohta lëndësh të panjohura, që po ua zënë frymën gjithë ndjesive të mia, duke i vënë fre vitalitetit në mua.
Më bëhet dendur se nga jeta njëdimensionale e të kolonizuarit në vendlindje, kam kaluar rrëmbimthi në një jetë më pak se një dimensionale të të arratisurit, që nganjëherë nuk do të donte më shumë se perspektivën e vdekjes në vendlindje së paku.”