Flet Mbappe: Nëse ka penallti diku, e gjuan Messi dhe pikë
Futbollisti i Paris Saint Germain Kylian Mbappe, ka thënë se Lionel Messi është futbollisti më i mirë në botë.
Ai nuk është i zemëruar me faktin se trajneri Mauricio Pochettino e ka caktuar argjentinasin për të gjuajtur penalltinë e parë.
Në ndeshjen e Champions League ndaj gjermanëve të Leipzig, PSG fitoi dy 11-metërsha, të parin ekzekutoi Messi duke e dërguar në rrjetë dhe duke përmbysur shifrat në favor të parizienëve që triumfuan 3:2 në këtë sfidë.
Ndërkohë në minutat shtesë parizienët fituan edhe një tjetër penallti të cilën e goditi Mbappe duke e çuar lart mbi traversë.
Vetë sulmuesi francez foli për mediat duke komentuar vendimin e trajnerit të Parisit, që Messi të jetë goditësi i parë i penalltive te PSG.
“Është normale, është çështje respekti, është futbollisti më i mirë në botë, është një privilegj që të luajë me ne, gjithmonë e kam thënë këtë. Nëse ka një penallti, do ta gjuajë ai dhe pikë. Në rastin e penalltisë së dytë, ma dha vetë, më tha mere përsipër, ishte fundi i lojës dhe unë e aprovova zgjedhjen e tij”.