Flet Ilir Daja para ndeshjes së kthimit me Sivassporin: Na pret një ndeshje edhe më e vështirë se në Turqi
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja insiston se ekipin e tij e pret një ndeshje mjaft e vështirë nesër mbrëma.
Therandasit do të përballen me Sivassporin në ndeshjen e dytë brenda një jave.
Kampioni kosovar e fitoi duelin e parë në Sivas me rezultat 4:3, ndërsa tash do të luajë në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Trajneri shqiptar nuk e fsheh dëshirën për fitore, por që e pranon se për t’u arritur kjo s’do të jetë aspak e lehtë.
“Presim të jetë një ndeshje akoma më e vështirë sesa në Turqi. Ata vijnë nga një fitore si vendas në kampionat. Ata do ta kërkojnë revanshin ndaj nesh. Ne na bën më të fortë fakti se Sivasspori dhe ekipet tjera në grup kanë më shumë eksperiencë”, u shpreh trajneri Daja në konferencë për shtyp.
Për momentin të katër skuadrat e Grupit, Ballkani, Sivasspori, Slavia Praga dhe Cluj i kanë nga katër pikë, ndërsa kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u zhvilluar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.