Flamuri i Kosovës ngritet në Çikago të SHBA-së për nder të 17 vjetorit të Pavarësisë

Për nder të 17 vjetorit të Pavarësisë, në Çikago është bërë ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës në sheshin Daley Plaza, përkrah flamujve të Shteteve të Bashkuara dhe të qytetit të Çikagos.
Drejtuesi i Konsullatës Drilon Zogaj, i shoqëruar nga Sekretari i Parë, Fatmir Rrahmanaj gjatë ceremonisë kanë falënderuar drejtuesit e Komuniteti Shqiptar në Illinois-Albanian Community of Illinois për shënimin e përvitshëm të Pavarësisë së Kosovës si dhe përkushtimin e tyre të përhershëm për Kosovën dhe bashkatdhetarët tanë në Illinois.
Gjatë ditës, përfaqësuesit e Konsullatës kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e Komunitetit Shqiptar në Illinois, Shoqatës Dardania, përfaqësuesit e pjesëtarëve të Policisë së Çikagos nga Shoqata Shqiptaro Amerikane e Zbatuesve të Ligjit në Illinois, si dhe pjesëtarë të Komunitetit të bashkatdhetarëve.