Fjalët e para të Edon Zhegrovës pas natës magjike
Edon Zhegrova e pati një natë magjike mbrëmë.
Ylli kosovar ishte prapë protagonist në ekipin e tij, Lille.
25 vjeçari e realizoi golin e dytë të skuadrës franceze në fitoren me rezultat 2:0 ndaj Slavia Pragës, në ndeshjen e “play-offit” të Ligës së Kampionëve.
Me këtë rast, ekipi francez e bëri një hap gjigant drejt kualifikimit në fazën e grupeve të garës më prestigjioze të futbollit evropian, teksa golin e parë për vendësit e shënoi David.
E pas lojës, përfaqësuesin kosovar e ka lavdëruar faqja zyrtare e ligës franceze – Ligue 1 përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan “Express”.
“Sezoni i ri dhe Edon Zhegrova është ende i jashtëzakonshëm”, shkroi liga franceze duke ia përcjellë postimit një flamur të Kosovës dhe një yll.
Ky ishte goli i dytë për Zhegrovën në Champions pas atij ndaj Fenerbahçes së Jose Mourinhos.
“Messi i Kosovës” e bëri sot një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit e shprehu gëzimin për golin dhe për fitoren.
“Një tjetër natë e madhe, një tjetër gol. Punë e mirë e ekipit. Edhe një hap për të shkuar në Ligën e Kampionëve”, shkroi ish-futbollisti i Baselit.
Zhegrova ka qenë i mahnitshëm në sezonin e kaluar, ndërsa pritet të jetë protagonist edhe në këtë edicion.
Edhe pse pritej të largohej nga Lille në këtë verë për ta nisur një eksperiencë të re në një ekip më të fortë, duket se Edoni do të jetë pjesë e ekipit francez edhe për një vit.
Ai pritet të jetë pjesë mjaft e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës në ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve.