Fjalët e para të Aubameyang pas zyrtarizimit te katalunasit: Barcelona ndër klubet më të mëdha në botë, jam këtu për t’i ndihmuar
Pierre-Emerick Aubameyang ndihet i nderuar që është pjesë e njëri prej klubeve, siç e quajti ai, më të mira në botë në Barcelonë, pasi u prezantua zyrtarisht si lojtar i Barçës të mërkurën.
Aubameyang nënshkroi marrëveshje me Barçën deri në vitin 2025 dhe e ka një klauzolë lirimi në vlerë 100 milionë euro.
Ai iu bashkua gjigantit katalonas si lojtar i lirë, pasi e kishte shkëputur marrëveshjen me Arsenalin.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Mezi pres të jem në fushë. Ishte një ditë e gjatë, por në fund jam këtu”, tha Aubameyang për uebsajtin e klubit.
“Mendoj se Barcelona është njëri prej klubeve më të mëdha në botë dhe jam i nderuar që jam këtu. Unë kam përvojë. Kam luajtur në Francë, Gjermani dhe Angli. Jam këtu për të ndihmuar dhe të jap gjithçka nga vetja”, shtoi ai.
Aubameyang është regjistruar në La Liga, prandaj ai mund të debutojë për Barcelonën të dielën në derbi kundër Atletico Madridit në Camp Nou.