Fjalët e fyera

Fjalët e fyera

Nga Javier Marias

Të flasësh për ‘metodat torturuese’ të policisë në referendumin e 1 tetorit në Barcelonë është fyerje për të gjithë njerëzit në botë që vuajnë dhe vazhdojnë të përjetojnë torturë reale.

Në kohë të turbullta, kur ngjarjet ndryshojnë për pak orë, është e bezdisshme të shkruash duke e ditur se ajo që shkruan do t’i mbërrijë lexuesit dy javë më vonë. Por, në çështjen katalanase, ka diçka që nuk do të ndryshojë, as tash e as kurrë, në mënyrën më të tmerrshme sesi zbrazet kuptimi. Politikanët katalanë pro-pavarësisë, dhe jo vetëm ata (poashtu liderët e organizatave Omnium dhe ANC që janë pro-pavarësisë, të cilët askush nuk i ka zgjedhur e që prapseprapë e mbajnë veten top-përfaqësues të vendit) kanë ofenduar në vazhdimësi. Por, nuk dua t’i diskutoj fyerjet e panumërta që iu kanë bërë spanjollëve të tjerë, me një përkushtim më të veçantë në fyerjen e njerëzve nga Extremadura, Andaluzia dhe të gjorët madriljenë. Le ta lëmë këtë menjanë, dhe t’i japim relevancë asaj që i mungon.

Sharjet më të mëdha u bënë ndaj njerëzve të mbarë botës, në të kaluarën dhe në të tashmen. Këto sharje janë rezultat i një trivializimi serioz, të fjalëve të mëdha që nuk mund të përdoren pa ndjellur neveri. Një vend me shkallë më të lartë vetë-qeverisjeje se çdo entitet tjetër ekuivalent në Evropë apo në dy Amerikat (më të madhe madje edhe se landet në Gjermani ose shtetet në Shtetet e Bashkuara); ku njerëzit kanë bërë zgjedhje të lira në zgjedhje të ndryshme për gati katër dekada; ku gjuha është e mbrojtur dhe nuk ka asnjë ndalesë të asnjë lloji të vendosur mbi të; një vend që është, ose ishte, një prej vendeve më prosperuese në kontinent; ku ka, dhe ka pasur, liri absolute të shprehjes dhe liri për të mbrojtur idetë e çdo lloji; ku njerëzit jteojnë, ose jetonin, në paqe dhe në rehati; një vend i lëvduar dhe i admiruar nga pjesa tjetër e planetit, dhe me të drejtë, për qytetet dhe fshatrat e jashtzakonshme dhe për kulturën mahnitëse…; pavarësisht gjithë këtyre, në pesë vitet e fundit, liderët e saj qeverisës dhe fanatikët e tyre, vazhdimisht janë çirrur: “Rroftë Katalonja e lirë” dhe që shfaqnin banere të tipit “Liri për Katalonjën.” Ata pretendojnë të jenë të shtypur, të okupuar, të poshtëruar dhe vazhdimisht bëjnë thirrje për demokraci kur në mënyrë të pacipë i kanë dhunuar parimet e njëjta demokratike që duan t’i eleminojnë edhe në ‘republikën’ e tyre pa disidentë, ku gjyqtarët do të vendoseshin dhe do të kontrolloheshin nga politikanët, ku liria dhe shtypi i lirë do të eleminoheshin të dyja bashkë, ku ata që do të konsideroheshin armiq ose joentuziastë për regjimin do të raportoheshin.  Ata e morën lirinë t’i quanin politikanët katalanë dhe mbështetësit e tyre që nuk duan pavarësi si ‘fashistë’, ndërkohë që shkrimtarin Juan Marse e përshkruajtën si tradhëtar. Askush nuk duhet të ndihet i hidhëtuar ose i dëshpëruar nga e gjithë kjo: është njësoj si miqtë e Mussolinit t’i quanin të tjerët fashistë. Imagjinoni vlerën e një sharjeje të tillë nga gojët e atyre që në të vërtetë janë të tillë.

Ofendimi më i madh është kundër atyre individëve që njëmend janë, ose ishin, të shtypur dhe të privuar nga liria; kundër atyre që nuk e kanë shijuar aspak demokracinë në jetët e tyre, dhe që kurrë nuk e kishin shansën për votë. Për të filluar me ne të gjithë, që vuajtëm nën regjimin e egër të Francos, ku nuk kishte parti politike dhe as liri të shprehjes, ku një student mund t’i kalonte dy vjet në burg vetëm sepse e bartte ndonjë pamfletë, pa përmendur këtu atë që mund të ndodhte nëse një unionist kapej duke e bërë atë gjë. Nuk ishin vetëm Katalanët që e vuajtën Francon, e as nuk e vuajtën më së shumti, dhe madje shumë katalanë edhe e përqafuan frankoizmin dhe i dhanë mbështetje të parezervë regjimit të tij. Është ofendim ndaj popullit në Siri dhe Irak të cilët janë ose ishin nën çizmen e Daeshit – ky që është njëmend shtypje dhe poshtërim. Është një poshtërim kundër grave në Arabinë Saudite dhe në vendet e tjera myslimane, të cilave iu mungojnë të drejtat elementare dhe të cilat reduktohen thjesht në skllave. Është ofendim ndaj kubanëve, që nuk kishin të drejtë vote për gjashtë dekada; kundër kilenëve dhe argjentinasëve që përjetuan diktaturat e ashpra militare, ku njerëzit zhdukeshin dhe torturoheshin. Të flasësh për ‘metodat torturuese’ të policisë, më 1 tetor, siç bëri spikerja e një televizioni katalan, duke rrëfyer rrena të tmerrshme, dhe duke paraqitur ofendim ndaj gjithë këtyre njerëzve që kanë përjetuar torturë të vërtetë, dhe që vazhdojnë të përjetojnë ende, në skuta të ndryshme të planetit tonë. Sa për ‘shtypjen e egër’ të asaj dite, nuk e di se çfarë fjale duhet përdorur për dënimet policore gjatë diktaturës së Francos, të cilën shumë prej nesh e kemi përjetuar personalisht. Një gjë e tillë ndodh edhe sot, në një vend si Venezuela. Të quhet brutale dhe e egër ajo që bëri policia në Katalonjë, nënkupton të mos dish asgjë nga kuptimi i këtyre fjalëve. Dhe kjo është një gjë e mirë. Të shpresojmë se gjeneratat e sotme do të vazhdojnë të mos dinë për këto gjëra.

Mënyra në të cilën fjalët keqpërdoren tregon për fyerjen më të madhe, dhe për mungesën më të madhe të respektit. Për më shumë, mënyra sesi numrat keqpërdoren, siç ishte rasti i zgjedhjeve në Katalonjë, ku  47%shi u interpretua si një mazhoritet, ose si një ‘mandat i qartë’. Kjo ishte një shenjë e qartë se ne jemi, me të gjitha pasojat dhe qëllimet, në praninë e imituesve të Musolinit që për çudi e përshkruajnë veten si të shtypur, të poshtëruar dhe pa liri, dhe që i quajnë ‘fashistë’ ata që së shpejti mund të përfundojnë si viktimat e tyre. / periskopi / elpais

Shpërndaje në: