Fitimtarë dhe humbës
Prezantimi që bëri Rama disa ditë më parë http://klankosova.tv/emisionet/zona-e-debatit-edi-rama-27-10-2016-klan-kosova në televizionin “Klan Kosova”; nervoz, shpesh agresiv dhe paternalist deri në arrogancë jo vetëm që vërtetoi këtë moskomunikim dhe moskuptim të dyanshëm, por nxori në pah dhe paradokset e politikës së jashtme të Shqipërisë në raportet me Kosovën dhe me Serbinë.
A është shumë të kërkosh, që Rama të koordinojë paraprakisht axhendën e tij në Beograd me qeverinë e Kosovës dhe jo vetëm kaq, por që ai të orientohet në aktivitetet e tij në Serbi edhe sipas kërkesave dhe nevojave të qeverisë së Kosovës, në vend që të lajë duart me http://www.gazetatema.net/web/2016/10/18/intervistadeklaratat-per-kosoven-ne-beograd-rama-u-pergjigjet-thacit-dhe-hoxhajt-dhe-patrioteve-me-profesion “unë flas për Kosovën, dhe këtë as nuk ma ndalon dot njeri dhe as është e nevojshme t’i marr dorën kujt nëse duhet të flas apo jo për Kosovën”. Ky akordim i dyanshëm duhet të ishte, në fakt, i vetëkuptueshëm, të paktën sa kohë që Serbia nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Reagimi i ashpër i politikanëve të Kosovës mbi vizitën dhe programin e tij në Serbi tregon që një rakordim paraprak midis dy qeverive nuk ishte bërë, edhe pse sinjalet ishin të dukshme, që disa javë më parë, që qeveria e Kosovës nuk ishte dakord me programin e Ramës aty.
Është një gjë, që të hedhësh i pari hapin drejt tjetrit, duke shkuar në Beograd dhe duke kërkuar aty – madje jashtë protokollit njohjen e shtetit të Kosovës (vizita e parë e Ramës) dhe është një gjë krejt tjetër të thuash, që http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/10/13/rama-perplaset-me-vucic-per-trepcen-do-ta-cosh-ne-beograd “Kosova është aty ku ne nuk biem tërësisht dakord” me qeverinë serbe, siç tha Rama gjatë vizitës së tij të fundit aty, duke vazhduar më tutje se “Serbia sa më shpejt të njohë Kosovën aq më mirë është por e kam thënë hapur që dialogu është një mjet i rëndësishëm” dhe duke nënshkruar më tej marrëveshje bilaterale me Serbinë për transportet, tregtinë dhe ekonominë. A nuk ka rrezik që kjo të interpretohet, prej Kosovës dhe Serbisë njëkohësisht, si: po, ne vazhdojmë dhe thellojmë bashkëpunimin bilateral mosnjohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia?
Çfarë është e pakuptueshme, kur politikanët e Kosovës thonë që Rama me përurimin dypalësh të autostradës Nish Prishtinë – Durrës, në fakt, vetëm e anashkalon dhe e injoron shtetin kosovar? Serbia pjesën e saj të kësaj autostrade deri në kufi me Kosovën të financuar nga fondet e BE-së do ta ndërtojë me apo pa pjesëmarrjen e Ramës në përurimin e punimeve. A është e domosdoshme prania e tij aty, kur pala kosovare nuk është e ftuar të marrë pjesë?
Dy argumente përdor Rama për të mbështetur afrimin e njëanshëm me Serbinë: atë të përfitimeve reciproke ekonomike dhe atë të avantazhit moral që kanë shqiptarët ndaj serbëve. Të dyja këto janë në fakt problematike:
Duke argumentuar me përfitimet ekonomike që do të sjellë thellimi i marrëdhënieve ekonomike me Serbinë për të tre vendet dhe për rajonin, Rama automatikisht i jep epërsi ekonomisë në marrëdhëniet me Serbinë, duke e kaluar në plan të dytë politikën, synimi kryesor i së cilës aktualisht është njohja dhe respektimi i Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia. A është e drejtë kjo qasje , a është Rama i sigurt, se ky intensifikim i marrëdhënieve ekonomike, në kushtet aktuale të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe të Kosovës është vërtet në favor të tyre, apo që të paktën avantazhet do të jenë të ekuilibruara midis të tre vendeve? Kosova një vend bujqësor, me pak tregti dhe shërbime dhe Shqipëria, faktikisht pa fundamente ekonomike, por vetëm me sektorët e tregtisë dhe ndërtimit, pra të dyja vendet pa industri dhe pa eksporte që ngrenë peshë; në anën tjetër Serbia, me bazën industriale më të madhe dhe krahasimisht më të zhvilluar, me një ekonomi që, edhe pse shumë larg nivelit të ekonomive të tjera evropiane, është më e orientuar drejt prodhimit dhe eksporteve, dhe <strong>me suficit masiv në bilancin tregtar të import-eksporteve me të dy fqinjët e saj. Sa i sigurt është Rama që intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, zvogëlimi apo heqja e barrierave tarifore dhe jo-tarifore midis tyre, nuk do të shkojë kryesisht në favor të ekonomisë serbe, duke e lidhur edhe më ngushtë ekonominë e Kosovës pas ekonomisë serbe, se sa ajo është aktualisht?
Më me leverdi do të ishte që Kosova dhe Shqipëria të fokusonin përpjekjet drejt ri-orientimit të ekonomive të tyre drejt njëra-tjetrës, duke mos u mjaftuar vetëm te reduktimi dhe fshirja e barrierave bilaterale për tregtinë apo te organizimi i samiteve formale qeveritare, por duke vazhduar me harmonizimin e sistemeve doganore dhe fiskale dhe më tej, me hartimin dhe zbatimin e një strategjie afatgjatë, të shoqëruar me programe të detajuara dhe me struktura administrative përkatëse, për zhvillimin dhe integrimin industrial dhe bujqësor të ekonomive të dy vendeve, për koordinimin e investimeve me përfitime të dyanshme në infrastrukturë, transporte, energjetikë, dhe deri te rakordimi i politikave financiare dhe monetare, që do të çonin në krijimin e një tregu të përbashkët, gjithsesi dyfish më i madh dhe më i plotësuar, se sa tregjet e shkëputura që ato janë aktualisht.
Ndërsa argumenti që përdor Rama, është ai fitimit të luftës nga shqiptarët dhe që ata, rrjedhimisht, duhet të sillen si fitimtarë në marrëdhëniet e mëtejshme me Serbinë, “si vizionarë e jo si administratorë të së përditshmes”. Vazhdimisht e dëgjon Ramën duke përsëritur që lufta mbaroi, që “shqiptarët fituan luftën, serbët humbën”. Po a është vërtetë kështu, sa kohë që njëra palë nuk e pranon rezultatin, sa kohë që qeveritë serbe jo vetëm që nuk e njohin shtetin e Kosovës, por nuk lënë gur pa lëvizur për ta izoluar Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe njëkohësisht për ta mbajtur atë të varur ekonomikisht nga Serbia? Apo jemi në një situatë ku lufta e nxehtë vërtet ka mbaruar, por në vend të saj po vazhdon konflikti diplomatik kundër njohjes së shtetit të Kosovës, ai ekonomik kundër pavarësisë ekonomike, ai politik për të siguruar avantazhet gjeopolitike në raportet me Evropën, SHBA dhe me fuqitë e tjera? Ne mund të flasim për pajtim, por pala tjetër jo vetëm që nuk është gati të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, por nuk pranon as që ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Ramës gjithashtu nuk duhet t’i ketë shpëtuar ndryshimi në raportet me Evropën në dy vitet e fundit, gjatë krizës së refugjatëve, si për Shqipërinë dhe Kosovën, ashtu dhe për Serbinë. Në këtë krizë nga më të rëndat në historinë e Evropës së Bashkuar; Shqipëria dhe Kosova ishin më shumë pjesë e problemit se e zgjidhjes, me mijëra emigrantë të paligjshëm nga të dy vendet, ndërkohë që Serbia luajti një rol shumë të respektueshëm në mbajtjen, trajtimin korrekt dhe në moslejimin e kalimit të refugjatëve drejt Evropës, kur kjo e fundit mbylli kufijtë. Ky ndryshim i peshores gjeopolitike në favor të Serbisë bashkë me dështimet e vazhdueshme të dy shteteve shqiptare për të luftuar korrupsionin, krimin, trafiqet e paligjshme detyrimisht i vështirëson dhe pozitat e shtetit të Kosovës për njohje ndërkombëtare, për afrim dhe integrim me Evropën. Mungesa e sensibilitetit nga ana e Shqipërisë kur vjen puna në marrëdhëniet dhe në vendin që Shqipëria i jep Serbisë, vetëm sa e thekson këtë anashkalim, apo ndjesi anashkalimi dhe pafuqie te politikanët dhe qytetarët e Kosovës.
Po ashtu, qeverive shqiptare nuk duhet t’u kenë shpëtuar as ndryshimet dhe zhvendosjet gjeopolitike, që kanë ndodhur këto dy vitet e fundit, në politikat dhe raportet rajonale dhe sidomos në ato ndërkombëtare – ngjarjet në Ukrainë, zhvillimet në Rusi dhe në Turqi, kriza në Greqi etj. – të cilat e bëjnë edhe më të ndërlikuar politikën e jashtme të Shqipërisë dhe të Kosovës, dhe navigimin në raportet rajonale edhe më delikat e më të vështirë.
Ndërkohë, ajo çfarë padrejtësisht kaloi pa iu kushtuar vëmendja dhe rëndësia e duhur nga vizita e fundit e Ramës në Beograd, ishte prezantimi i Ramës privat para publikut serb, si shkrimtar dhe artist modern, mendjehapur, elokuent, çka është, për mendimin tim, mënyra më e mirë për të fituar simpati dhe miq në radhët e elitave dhe të qytetarëve serbë dhe, indirekt, për të ndihmuar në tejkalimin e konfliktit dhe ndoshta një ditë në pajtimin e të dy popujve.
Nuk është aspak fjala këtu, që Shqipëria dhe Serbia të mos mbajnë marrëdhënie korrekte bilaterale, apo që këto marrëdhënie të mos thellohen në interes të të dyja palëve dhe me synimin e pajtimit të popujve, ndoshta në një të ardhme jo të largët, siç kanë bërë më parë dhe popuj të tjerë në Evropë. E aq më pak është fjala këtu për të ndjekur rrugën e konfliktit, apo për t’u shkuar pas ekstremistëve që nuk mungojnë, këtej dhe përtej kufirit.
Por afrimi duhet të jetë reciprok dhe në koordinim me qeverinë e Kosovës, ku qeveria shqiptare, pse jo, të hedhë hapin e parë drejt tjetrit, por ku dhe pala tjetër të përgjigjet me të njëjtën dëshirë dhe interes bashkëpunimi, dhe ku ajo, më në të hedhë hapin e njohjes dhe respektimit të shtetit të Kosovës. Në të kundërt, një marrëdhënie e njëanshme, ku shteti shqiptar vetëm jep, por merr pak ose aspak mbrapsht, ku Kosova dhe përfaqësuesit e saj ngelen thjesht “vëzhgues nga përtej gardhit”, jo vetëm që nuk sjell asnjë të mirë për asnjë palë, por mund të çojë në një realitet ku shqiptarët vërtetë e fituan luftën, por të rrezikojnë të humbin paqen.