Finalja kundër Liverpoolit, Ancelotti zbulon formacionin që do ta përdorë
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, para finales së Ligës së Kampionëve, ka zbuluar se çfarë formacioni do të përdorë kundër Liverpoolit.
Trajneri italian, i cili po synon triumfin e dytë evropian me gjigantit spanjoll pas atij në vitin 2014 në aventurën e tij të parë në “Santiago Bernabeu”, pa skuadrën e tij mbrëmë duke e shkatërruar Levanten me rezultat të thellë 6:0, përcjell KosovaPress.
Reali veçse e ka mbyllur çështjen e kampionit të La Ligas, dhe tani fokusi i vetëm do të jetë në finalen e Ligës së Kampionëve më 28 maj në Paris, dhe Ancelotti nuk dukej i shqetësuar ku zbuloi disa nga taktikat e tij për në “Stade de France”.
Kur u pyet se si do të jetë formacioni i skuadrës së tij kundër Liverpoolit, përgjigja e Ancelotti ishte:
“4-3-3. Ndonjëherë mund të përfundojë edhe si 4-4-2. Nuk mendoj se ka ndonjë sistem definitiv, ndonjëherë për të bërë presion kundërshtarit, ashtu siç bëmë ndaj Cityt, formacioni ndërron nga 4-3-3 në 4-1-1. Ideja nuk ndryshon shumë, vetëm çështja se si të mbrohesh nga kundërshtari”, tha Ancelotti.
Realit i kanë mbetur edhe dy ndeshje në ligë, kundër Cadiz dhe Real Betis, para finales, ndërsa Liverpoolit i kanë mbetur edhe dy ndeshje në Premier Ligë si dhe finalja e Kupës FA nesër kundër Chelseat.