Finalja e Kupës së Greqisë në futboll pritet të luhet në “Air Albania”
Pas finales së Ligës së Konferencës, Shqipëria mund të jetë dëshmitare e një tjetër ndeshjeje të madhe finale që do të luhet në Tiranë! Federata Greke e futbollit po kërkon një stadium për të zhvilluar finalen e Kupës së Greqisë dhe stadiumi në të cilën mund të zhvillohej kjo finale, është “Air Albania”.
AEK-PAOK është finalja e Kupës së Greqisë dhe forcat e policisë nuk e kanë marrë përsipër që finalja të zhvillohet në Athinë për shkaqe sigurie. Problemet e tifozëve kanë bërë që policia të stepet dhe në këtë mënyrë, Federata po kërkon për një stadium tjetër.
Kërkesa e tyre është refuzuar nga Qipro dhe “Panorama Sport” ka mësuar se Federata Shqiptare e Futbollit ka thënë “PO” parimisht që kjo ndeshje të luhet në Tiranë. Gjithashtu, një alternativë ishte edhe stadiumi i Bukureshtit, megjithatë me shumë gjasa finalja do të luhet në Tiranë. Finalja është planifikuar të luhet në datën 24 maj.