Filmat e Kinostudios dhe tufa e gabimeve

Filmat e Kinostudios dhe tufa e gabimeve

Para pak kohësh shkrimtari Agron Tufa u shpreh kundër transmetimit të filmave të ish-Kinostudios në televizion, duke paraqitur si argument bazë rrezikun se propaganda që ata përmbajnë mund të ndikojë negativisht te brezi i ri.

Brenda pak ditëve erdhën reagime të tjera: Punonjësi i AMA-s, E.Kapri e ka shtruar çështjen në mënyrë ligjore pranë AMA-s. Jonila Godole, duke ringritur kërkesën e A.Tufës në një status në mediat sociale, shkruan: “Po ç’faj ka brezi i ri t’u servirësh produkte të dëmshme për shëndetin e tyre mendor dhe estetik?!”. Të njëjtin argument mbi rininë ajo e ngriti edhe në debatin në emisionin Opinion. Në intervista dhe artikuj të shumtë, regjisorët dhe aktorët dalin kundër ndalimit të filmave. Shkrimtari Ismail Kadare shprehet pro përzgjedhjes dhe ndalimit të një pjese të prodhimit kinematografik të periudhës socialiste.

AgronTufa insiston duke e dërguar çështjen për shqyrtim në Parlament. Ithtarët e ndalimit të filmave pretendojnë se flasin nga pozita e protektorit të brezit të ri, por për dreq askush nuk e pyet brezin e ri. Në cilësinë e një studiueseje të kinemasë, por edhe pjesë e një brezi relativisht tëri në raport me shtrirjen në kohë të Kinostudios, po shtroj disa pyetje dhe vërejtje:

1.Jam vërtet kurioze: ku i ka pikasur A.Tufa ndikimet negative në brezin e ri nga filmat e Kinostudios të shfaqur në televizion? Ka kryer ndonjë studim rreth kësaj çështjeje Z.Tufa me instititutin e tij, Znj. Godole me institutin e saj apo Z.Kapri nëpërmjet AMA-s?

Ndonjë studim për sjelljen e të rinjve ndaj medias dhe ndaj kinematografisë? Sa i shohin filmat shqiptarë dhe sa filmat e huaj? Sa prej tyre i kanë parë dokumentarët e Kinostudios? Arsyet pse i shohin dhe pse jo? Sa përqind e filmave të huaj që ata shohin janë “blockbusters”? Sa filma shohin on-line dhe sa në televizion? Cilët do ishin indikatorët për të matur pasojat negative të të parit të këtyre filmave? Cili do të ishte marzhi i gabimit? Si është raporti mes transmetimit të filmit shqiptar dhe atij të huaj në median shqiptare dhe si është ky raport në krahasim me vendet e tjera? Le ta bëjnë një studim të tillë profesionalisht Z.Tufa, Znj. Godole dhe Z.Kapri dhe t’i shohim rezultatet.

2.Kur propozojnë që “ata pak filma që nuk janë propagandistikë, le të shfaqen të paraprirë nga një sqarim”, kush e ka legjitimitetin për ta bërë një intro të tillë? A e kanë legjitimitetin vet autorët të cilët i kanë bërë këta filma “propagandistikë”? A e kanë kineastët e rinj (që në shumicën e rasteve janë ish-studentë të këtyre autorëve)? A e ka vet Z. Tufa si “palë e prekur”? Vet të indinjuarit pranojnë se “intro-ja” sqaruese që po propozojnë t’u vendosin filmave, supozohet të minimizojë dëmet që vijnë si pasojë e dështimit të vënies së drejtësisë sa i përket asaj periudhe. Si ta kuptojmë këtë? Paradoksalisht, ithtarët e ndalimit të filmave, që po e mbajnë Nurenbergun si argument-flamur në çdo debat, po propozojnë që në Shqipëri të bëjmë një anti-Nuremberg. Nëse në Nurenberg hyri për herë të parë në sallën e gjyqit ekrani i kinemasë për të dëshmuar, sot në Shqipëri po propozohet të futet një gjykatës simbolik si trup i huaj në film. Pra, nga filmi që bëri drejtësi, të kalojmë në drejtësinë që “bën filma”.

3.Kur thonë se në vendet e ish-Jugosllavisë dhe në Rumani ka ligje që ndalojnë filmat e vjetër të propagandës, po keqinformojnë publikun. Në vendet ish-socialiste nuk ka ligje apo nisma të tilla ligjore. Kur marrin shembullin e Gjermanisë, duhet të sqarojnë se është rast përjashtimor dhe duhet të saktësojnë mirë se bëhet fjalë për vetëm 3% të filmave fiksion të metrazhit të gjatë të prodhuar gjatë periudhës naziste (40 nga 1200) të cilët nuk qarkullojnë në televizion në kuadër të ligjeve të denazifikimit dhe masave ndaj neonazizmit aktiv në vend, por ruhen, restaurohen, qarkullojnë në DVD, kinema dhe muze kinemash. Prej vitesh në Gjermani ka debate kundër ndalimit në televizion të këtyre filmave, pasi pretendohet se është arritur efekti i kundërt dhe për të rinjtë neonazistë këta filma janë mistifikuar dhe fetishizuar.

Kinematë kombëtare në Evropë kanë pasur një prodhim frenetik të financuar nga shteti gjatë periudhave diktatoriale, kolaboracionizmit, luftrave të ngrohta e të ftohta, dhe këta filma sot restaurohen dhe marrin pjesë nëpër festivale të filmit të restauruar. Ata që dikur kanë qenë propagande, sot lejohen jo vetëm për anën estetike, por edhe sepse me ndryshimet e kontekstit historik, ata filma janë kthyer në akuzues të aspekteve të ndryshme të epokës që i prodhoi. I dalë prej kontekstit të kohës që e prodhoi, filmi është kthyer në dëshmi.

4.Filmat po akuzohen për vet natyrën e tyre si filma. Znj. Godole i akuzon se “nuk bazohen në fakte”, “luajtën me emocionet e popullit”, “krijuan realitete false” etj. T’i marrim me radhë. Po, filmat fiksion nuk bazohen përgjithësisht në fakte, e kanë për natyrë. Po, filmat implikojnë lojën dhe emocionet, e kanë për detyrë ta bëjnë. Publiku është i ndërgjegjshëm për këtë dhe kur hyn në sallën e kinemasë e ka bërë këtë pakt me veten. Nëse “krijuan realitete false”? Nuk më duket i qartë si nocion, por nëse me “realitet fals” do kuptojmë një metaforë, atëherë filmat e kanë për detyrë të krijojnë “realitete false” brenda perimetrit të bezes së ekranit. Pra, për akuzat e mësipërme nuk ngremë dot ligje, sepse janë akuza ndaj vet natyrës së filmit si i tillë. Vazhdojmë. Krijuan stereotipe të gabuara? Po, për fat të keq, por kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme që i ka ndodhur vetëm kinemasë shqiptare. Lidhur me stereotipet, le të monitorojmë për një javë një kanal të çfarëdoshëm televiziv që shfaq filma fiksion të metrazhit të gjatë. Rezultati mund të jetë befasues (dhe këtu nuk po llogaris telenovelat). Ç’do të thoshim për personazhet e femme fatale, indianit të Western-it apo fundja shqiptarit mafioz që po promovohet gjithnjë e më shumë në filmat e huaj thriller etj.? T’i ndalojmë të gjithë këta filma?

5.Propaganda e djeshme i shkonte përshtat hegjemonisë kulturore të së djeshmes. Por është e pakuptimtë të kërkosh gjurmët, kur ujku është përballë. Sot kemi një hegjemoni të re kulturore, ku zë të rëndësishëm në kapitull ka edhe media e tregut të lirë, e cila në programacionin e saj i drejtohet thuajse ekskluzivisht konsumatorit të shtresës së mesme dhe i ofron kryesisht “entertainment”.

Jemi në vlerat minimale të programacionit që u drejtohet fëmijëve, adoleshentëve, të moshuarve, bujqve etj. Nga ana tjetër, filtrat ndaj seksizmit dhe racizmit janë shumë të brishtë. Pra, nëse duam të mbrojmë publikun nga hegjemonia kulturore dhe propaganda, problemi është i qartë. Kategori të tëra margjinalizohen sot nga programacioni televiziv. Pse nuk reagojnë këta intelektualë në përkrahje të këtyre të deklasuarve mediatikë?

6.Filmat e pafajshëm dhe filmat e racës së pastër nuk ekzistojnë (madje as “filmat normalë” që përmend Ismail Kadare). Nëse duam, mundet që historinë e kinemasë ta lexojmë si një histori dinamikash politike, propagande (kur vjen nga lart), angazhimi (kur vjen nga poshtë) etj. Sot, pak përmendet fakti që në strategjitë e Goebbels-it për kinemanë, te filmat e propagandës nuk përfshiheshin vetëm filmat e propagandës së drejtpërdrejtë dhe ofensive, por edhe filmat e propagandës së butë dhe indirekte, “entertainment”-it, me kabare e balerina gjysmë të zhveshura, madje filmat e kategorisë së fundit planifikohej qëllimisht të ishin më të shumtë në numër.

Madje edhe studiot kryesore të HollyWood-it u përlyen jo pak kur nisën autocensurën dhe censurën me qëllim që t’i përshtateshin tregut gjerman të filmit gjatë nazizmit. Që filmat e argëtimit të lehtë janë filma propagande, kjo është një pikë ku bien dakord edhe teoricienë të mëvonshëm. Parimi është i thjeshtë: populli le të rrijë i qetë me mendimin se sistemi po funksionon më së miri.

Si do t’ja bëjë Z. Tufa, a do t’i fusë ai edhe filmat e argëtimit të lehtë në kategorinë e atyre që duhen censuruar, përderisa qenkan filma propagande? Nëpër ç’sita të holla e nëpër ç’algoritme do t’i shkoqisin Z. Tufa dhe Znj. Godole filmat propagandistikë nga ata  jopropagandistikë?

Kategori të tëra filmash mbyten sot nga superprodhimi i klasës shtypëse të “blockbuster”-it amerikan. Si do t’ja bëjë Z. Tufa, do t’i dalë në mbrojtje klasës shtypëse, apo klasës së shtypur të filmave që mezi gjejnë kontakt me publikun e ri shqiptar (dhe me gjasa këtu bën pjesë edhe filmi i vjetër shqiptar, ashtu i nëpërkëmbur, i parestauruar, me ngjyra si mos më keq, aspak tërheqës për sytë e njomë që janë formatuar HD e 4K)?

7.Thuajse të gjitha akuzat ngrihen duke u bazuar në narracionin dhe personazhet e këtyre filmave. Problemi është që filmi nuk ka narracionin si atribut që i përcakton natyrën e tij, por ka montazhin, mënyrën e trajtimit të kohës filmike, gjestet kinematografike, mikrolëvizjet të cilat syri nuk i kap dot etj. Psh, kur flasim për aspekte të caktuara të ideologjisë komuniste në film, mund t’i referohemi shkollës ruse të montazhit, ku disa parime të kësaj ideologjie u morën dhe u zhvendosën, u përkthyen dhe u përshtatën në parime të montazhit,në gjuhë filmike. Për kinemanë ka më tepër rëndësi kur një ideologji përbrendësohet në elementë që i takojnë eksluzivisht kinemasë, sesa kur mishërohet te personazhi. Kështu pra, Z.Tufa në e ka seriozisht këtë punë, duhet të dorëzojë në parlament një kërkesë për ndalimin e filmave të Vertov-it dhe Eisenstein-it si fillim. Përndryshe, nëse e redukton filmin në narracion, nuk është duke folur më për film, por për “filëm”.

8.Si pretendon Z. Tufa të studiohet dhe të problematizohet një periudhë nëse zhduk nga qarkullimi trashëgimitë kulturore të saj, dëshmitë e saj,apo nqs i imponon publikut vetëm një mënyrë leximi (përmes intro-s)?

Kërkesa e Z. Tufa është aq e dendur në gabime, sa mund të ngrihen edhe argumente të tjera, megjithatë problemi kryesor në kërkesën e tij nuk është mënyra sesi kalëron nëpër problematika të ndryshme, duke injoruar ca e duke kokolepsur ca të tjera. Problemi kryesor etik qëndron te qasja ndaj publikut. Ai e konsideron publikun si gjindje pa aftësi për të dalluar vlerën materiale nga vlera simbolike e objektit, objektin funksional nga objekti muzeal, fiksionin nga realiteti, stomakun nga arti etj. Mediat u morën në masë me agresivitetin e kërcënimit që i është bërë Z.Tufa me sms, por askund nuk u tha që kërkesa e Z. Tufa është po ashtu agresive. Znj. Godole e çon edhe më tej arrogancën e kësaj kërkese kur shkruan: “Fillimisht të hiqen nga ekranet […] Kush ka mall për to, le t’i shohë ku të dojë, ose le të shfryjë dufin në[FB], lejohet”.

Këta intelektualë diktonjës që kanë nga një institut për kokë, nuk kanë aspak respekt për publikun shqiptar, aftësitë e tij, shijet, emocionet, pluralitetin e marrëdhenieve që publiku ka me këta filma, kompleksitetin e këtyre marrëdhënieve etj.

Është e papranueshme arroganca e të konsideruarit të vetes së tyre si intelektualë që kanë tagrin të diktojnë çfarë duhet parë e çfarë jo.

Publiku shqiptar nuk është tufë,por edhe nëse një ditë do të përfundonte i tillë, faji nuk do të ishte i filmave të Kinostudios, por i hegjemonisë kulturore të kohës që e prodhoi një”tufë” të tillë. Kësisoj, nga hegjemonia e dikurshme kulturore na kanë mbetur si trashëgimi kulturore ca bobina të rrezikuara nga sindroma e uthullës në AQSHF. Por na ka mbetur edhe një “trashëgimi e gjallë”: kërkesat e Z.Tufa dhe atyre që e mbështesin.

Ky artikull nuk synon t’i thotë Z. Tufa dhe atyre që mbajnë të njëjtin qëndrim: “Lëri rehat filmat e Kinostudios!”, përkundrazi, është një ftesë për t’i problematizuar ata, pa u ikur problemeve që lindin dhe pa iu imponuar shikuesit. Gjithashtu ky artikull nuk synon t’i thotë Z. Tufa dhe atyre që mbajnë të njëjtin qëndrim: “Lëre rehat brezin tim!”, përkundrazi, kjo është një ftesë për ta lënë brezin tim të përballet me shqetësimet e veta, dhe gjithashtu ftesë për t’i adresuar tjetërkund ato që i takojnë brezit të tij, ama pa u hequr si protektor i një brezi tjetër! Është detyrë e patransferueshme e çdo brezi që të përballet vet me krizat që i kanë rënë për hise apo që ia ka shkaktuar vetes, pa i mohuar pasardhësit trashëgiminë kulturore.

Post Scriptum:  Kujtdo që dëshiron të vazhdojë me logjikën “ca filma t’i censurojmë” apo “ca filmave t’u bëjmë një intro”,i sugjeroj ta çojë deri në fund këtë logjikë, të mos harrojë të kërkojë censurimin e të gjithë filmave sovjetikë, të Rusisë së sotme të Putinit (le ta nisin me “Russian Ark” që bën propagandën e madhështisë së Rusisë), të Turqisë së sotme, Western-ët, filmat noir për seksizmin, ata të Gjermanisë naziste (por edhe ata të RFGJ dhe RDGJ), të Italisë së Duçes, të Francës kolaboracioniste. Të kërkojë shporrjen nga ekranet të filmave të Valëve të Reja (Franceze, Kinemasë së Re Gjermane, Britanike, Amerikane, Neorealizmit Italian etj.) se tërë ata regjisorë sikur e tepronin ca me admirimin në distancë të komunizmit, madje ndonjë syresh kishte edhe teserën e partisë komuniste. Vazhdo me Valën e Zezë Jugosllave që merrte para nga taksapaguesit e bënte sikur bënte transgresion të kanuneve, por në fakt krijonte përjashtimin që konfirmonte rregullin dhe kësisoj e përligjte regjimin. Vazhdo me filmat e atyre që e kishin emrin në Listën e Zezë të HollyËood-it të periudhës së McCarthy.

Vazhdo, vazhdo, vazhdo…

Lektore/studiuese e historisë dhe analizës së filmit

Shpërndaje në: