Fillon votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Europë, më vonë do të nisë në SHBA e Kanada
![Fillon votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Europë, më vonë do të nisë në SHBA e Kanada](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/E26B4069-7D61-4C6F-93A2-AEB62CE9F6B2-500x300.png)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e parë për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Në këtë konferencë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri në këtë orë, sipas kohës lokale, janë hapur qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike në shtetet europiane, ndërsa votimi në përfaqësitë diplomatike në ShBA dhe Kanda do të fillojë më vonë.
Përfaqësitë diplomatike në të cilat ka filluar procesi i votimit në orën 07:00, sipas kohës lokale në Kosovë, janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Turqi (Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); dhe Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë).
Procesi i votimit në ShBA (Washington – ambasadë; New York – konsullatë) dhe nw Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë) do të fillojë në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
Në përgjithësi, votimi do të zhvillohet në 43 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 14 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme.
Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues.
Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 8 shkurt 2025, pasi në Listën Votuese e cila është dërguar në përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (29 gusht – 26 dhjetor 2024).