Fillon dëshminë Halil Çadraku, përfaqësohet nga avokati Arianit Koci
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë ka filluar dëshminë Halil Çadraku i cili përfaqësohet nga avokati Arianit Koci në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari mban kodin 03873 dhe është dëshmitari i 107-të me radhë në këtë proces.
Avokati Koci pohoi se parashikojnë që të kërkojnë garanci që ajo se çfarë thotë dëshmitari në Hagë nuk do të përdoret për ta ndjekur penalisht.
Megjithatë, sipas kryegjyqtarit Charles Smith III, nuk pati kundërshtime nga ana e ZPS-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Trupi gjykues e detyron dëshmitarin që të jep dëshmi. Në pajtim me rregullën 151 paragrafi 3, trupi gjykues e siguron dëshmitarin që dëshmia e dhënë në përgjigje të pyetjeve përkatëse nuk do të përdorët as në mënyrë të drejtpërdrejtë as në mënyrë të tërthortë ndaj një personi të caktuar dhe nuk do të përdoret as për ndonjë arsye tjetër përveç arsyeve të cilat parashikohen me Ligj”, tha kryegjyqtari.
Si rrjedhojë, kryegjyqtari informoi dëshmitarin se refuzimi për të dhënë dëshmi mund të sanksionohet me gjobë.
Smith III i ofroi mundësi dëshmitarit që të dëshmojë në seancë të mbyllur që dëshmia e tij nuk të dëgjohet për publikun.
Pas një konsultimi një minutësh me klientin e tij, avokati Koci njoftoi se Çadraku dëshiron që të dëshmojë në seancë publike.
Koci tha se “ne kërkojmë që të shkojmë në seancë të hapur” edhe kur u pyet se a e din klienti i tij që këtë seancë do ta përcjellë i gjithë publiku.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari tha se e kishte nofkën “Fatosi” gjatë veprimtarisë së tij në luftë.
Dëshmia e këtij dëshmitari sipas kryegjyqtarit Charles Smith III pritet të zgjasë rreth 2-3 ditë. Nga kjo kohë, prokuroria ka parashtruar se i duhen katër orë për pyetjet e saj ndërsa, ekipet e mbrojtjes kanë vlerësuar se i duhen afërsisht shtatë orë e gjysmë për kundërpytjet.
Vlen të theksohet se në prova materiale u pranuan intervistat e dëshmitarit të dhëna më herët përpara autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.
Me 18 nëntor, mbrojtësi i Veselit kishte kërkuar që një pjesë e transkriptit të dëshmitarit 04679 që është dëgjuar në seancë private dhe që kishte të bënte me dëshmitarin 03873 të klasifikohen si publike.
Lidhur me këtë, trupi gjykues tha se pajtohet që pjesët përkatëse mund të riklasifikohen si publiku duke dhënë edhe urdhër për këtë.
Ndërsa, së dyti, kryegjyqtari tha se ekipi mbrojtës i Thaçit kundërshton pranueshmërinë e disa dokumenteve që Prokuroria dëshiron që t’i përdor me dëshmitarin 03873 më arsyetimin që ato janë paragjykuese dhe efekti paragjykues i tyre e shpërben relevancen e vlerën provuese të tyre.
Sipas tij, materiali vjen nga një libër që ka informacion që lidhet me dëshmitarin 04583. ZPS-ja ishte përgjigjur se nuk ka arsye se pse të mos pranohet. Si rrjedhojë, pasi janë shqyrtuar të gjitha parashtrimet, Trupi gjykues ka marrë vendim që të rrezoj kundërshtimin e mbrojtjes së Thaçit.
Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020