Fillimi i prillit, afati i fundit për dëgjimin e dëshmitarëve të ZPS-së në Hagë

Katër prilli i këtij viti është data e fundit e parashikuar për dëgjimin e deshmitarëve të ZPS-së në Dhomat e Specializuara në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ka njoftuar prokurori Matt Halling.
Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes, Halling tha të mërkurën se brenda 15 prillit do t’i dorëzojnë mocionet e fundit me shkrim, përfshira mocione joverbale dhe prova përkatëse.
“Kjo është data që është planifikuar”, ka thënë prokurori.
“Javën tjetër kemi dy dëshmitarë, për muajin mars kemi një dëshmitar dhe do t’iu japim përditësime për dëshmitarë të tjerë të planifikuar për në mars, sapo ta kemi këtë përditësim… Disa dëshmitar që kanë mbetur, kanë probleme të ndërlikuara që lidhen me sigurinë, përgatitjen, bashkëpunimin me shtetet e treta, sidoqoftë ne po bëjmë të pamundurën, brenda mundësive tona”, ka thënë James Pace, prokuror.
“Për momentin i vetmi dëshmitar i konfirmuar për bllokun e marsit është dëshmitari W04403, dëshmitarët e tjerë që do i thërrasim, ende nuk i kemi evidentuar”, ka thënë Pace.
“Nuk kemi 50 apo 100 dëshmitar. Vetëm 20 dëshmitar kanë mbetur dhe ju thash disa do të vijnë në sallën e gjyqit, disa do të pranohen sipas rregullës 153, 155, ndryshimet do ua japim brenda kësaj jave dhe do ngelen shumë pak dëshmitar”, ka thënë Pace.
Rregullat 153 dhe 155 përcaktojnë pranimin e deklaratave dhe transkriptove me shkrim, në vend të dëshmive verbale.
“Ne kemi përllogaritu se janë së paku 10 dëshmitar të cilët mbetën për tu dëgjuar në bllokun e marsit, por janë shumë për t’u përgatitur për të 10-it dhe nëse nuk do të thirren duhet që ta dimë. Deri në fund të javës së ardhshme prokuroria duhet të na njoftoj se nëse krahas një dëshmitari që tashmë e dimë që do vij, a do ketë dëshmitar të tjerë apo jo. Të paktën ta dimë që deri në fund të këtij blloku të përgatitemi për një, dy apo dhjetë dëshmitar, sepse është një diferencë shumë e madhe sa i përket burimeve tona në personel”, ka kërkuar avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.
“Po, numri që përmend avokati, janë 10 dëshmitar që mbeten, por nga këta 10, shumë apo disa prej tyre do të kalojnë sipas rregullit 153,154 ose do ti hiqen fare nga lista e dëshmitarëve. Nuk mendojmë që të 10 dëshmitarët do të dëgjohen në bllokun e marsit dhe as nuk do të dëgjohen përtej kësaj date. Por sa i takon vendosjes së një afati, kjo është arbitrare”, është përgjigjur Pace.