“Fillimi i dy legjendave”, prapaskenat mbi fotografinë e Messit me Yamal si bebe që u bë virale
Kur fotografi Joan Monfort bëri foton e Lionel Messit me një bebe para afro 17 viteve në një mbledhje për bamirësi, ai e dinte se argjentinasi do të bëhej i madh në futboll, por asnjëherë s’do ta kishte menduar se edhe bebja do të ishte mahnitës.
Fëmija në foto, që tani është bërë viral, është askush tjetër përpos Yamal, talenti spanjoll, i cili në moshën 16-vjeçare është duke mahnitur të gjithë.
Përpos që u bë lojtari më i ri që debutoi në Evropian, Yamal theu edhe rekordin e golashënuesit më të ri në Kampionat Evropian, duke realizuar një eurogol në gjysmëfinale ndaj Francës.
Fotoja e harruar prej kohësh nga viti 2007 u rishfaq pasi babai i Yamal e postoi atë në Instagram javën e kaluar me tekstin: “Fillimi i dy legjendave”.
Monfort, 56 vjeç, i cili punon si fotograf i pavarur tha se fotosesioni u zhvillua në dhomën e zhveshjes së vizitorëve në “Camp Nou” të Barcelonës në vjeshtën e vitit 2007, kur Lamine Yamal ishte vetëm disa muajsh.
Lojtarët e Barcelonës pozuan me fëmijët dhe familjet e tyre për një kalendar si pjesë e një lëvizjeje bamirësie vjetore nga gazeta lokale Diario Sport dhe Unicef. Monfort ishte në krye të fotografitë dhe ndodhi që Messi u bashkua me familjen e Lamine Yamal. Nëna e tij, e cila është nga Guinea Ekuatoriale, është pranë Messit dhe foshnjës në një nga fotot.
“Ne e bëmë kalendarin me ndihmën e Unicef-it. Kështu që Unicef bëri një lotari në lagjen Roca Fonda në Mataro ku jetonte familja e Lamine. Ata u regjistruan në shortin për të bërë foton e tyre në Camp Nou me një lojtar të Barçës. Dhe ata fituan shortin”.
Nuk ishte një detyrë e lehtë, kujton ai, kryesisht sepse Messi nuk ishte i sigurt se si të ndërvepronte me foshnjën, e cila ishte në një vaskë plastike për xhirimin.
“Messi është një djalë mjaft introvert, ai është i turpshëm. Ai po dilte nga dhoma e zhveshjes dhe befas e gjen veten në një dhomë tjetër të zhveshjes me një vaskë plastike të mbushur me ujë dhe një fëmijë në të. Ishte e ndërlikuar. Ai as nuk dinte si ta mbante në fillim”, tregon ai.
Monfort nuk e kishte idenë se ishte Lamine Yamal në ato foto të vitit 2007 derisa një mik i dërgoi mesazh teksa ata filluan të shfaqeshin në internet.
Ai ka pasur një karrierë të gjatë si fotograf sportiv që nga viti 1991, duke ndjekur Barcelonën në mbarë botën, por tha se kurrë nuk e ka përjetuar këtë nivel emocioni rreth asnjë prej fotove të tij.
“Është shumë emocionuese të shoqërohesh me diçka që ka shkaktuar një ndjesi të tillë. Të them të vërtetën është një ndjenjë shumë e bukur”.