Filarmonia sonte me koncert që dëshmon një tjetër nivel
Programi i përbërë nga tri vepra, dy prej të cilave premierë, përveç tingujve klasikë, do të sjellë edhe gërshetime të muzikës tradicionale japoneze me jazzin dhe pop-in. Në skenë, bashkë me orkestrën do të ngjiten edhe sy solistët nga Rusia, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pianistja Maria Nemtsova do të interpretojë koncertin për piano për dorë të majtë nga kompozitori Maurice Ravel e saksofonisti Vitaly Vatulya do të luajë veprën “Cyber Bird Concerto” të kompozitorit japonez Takashi Yoshimatsu. Vepra e tretë është Simfonia nr. 5 e Pyotr Tchaikovskyt. Secila prej këtyre veprave, të hënën në një konferencë për media, është vlerësuar e veçantë dhe kërkuese në formën e vet.
Kjo për shkak të elementeve strukturore që ngërthejnë në vete, por edhe për shkak të vështirësisë në interpretim. Charette, i cili ka qëndruar në Kosovë për një javë, është ndarë i mahnitur me punën dhe vullnetin e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.
Ka vlerësuar profesionalizmin dhe vullnetin e instrumentistëve që ky koncert të dalë sa më mirë, duke theksuar se një program i tillë është i vështirë edhe për orkestrat më të mëdha të Evropës. Por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se nuk përkon me nivelin që ka orkestra kosovare.