FFK me projekt të ri për futbollin e grave, ndihmohen direkt futbollistet dhe trajneret
Sot në ambientet e FFK-së është mbajtur një takim me përfaqësuesit e klubeve të femrave të Ligës së Parë dhe Ligës U16. Të pranishëm në këtë takim ishin kryetarja e Komisionit të Femrave, Vjollca Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.
Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e klubeve u informuan për projektin e ri që ka nisur federata me mbështetjen e UEFA-s e FIFA-s për t’i përkrahur direkt futbollistet dhe trajnerët e klubeve të Ligës së Parë të femrave dhe ato të Ligës U16. Projekti “Subvencionimi në zhvillimin personal të lojtareve” ka për qëllim që të rrisë motivin tek vajzat për angazhim sa më të madh në lojën e futbollit, por edhe angazhimin e trajnerëve për punë sa më profesionale.
Drejtuesit e FFK-së ua paraqitën përfaqësuesve të klubeve detajet e këtij projekti, por njëherësh kërkuan nga ta që të jenë sa më të sinqertë e korrekt dhe këto mjete financiare të shpërndahen tek futbollistet, ngase ndryshe projekti do të dështojë. Njëherësh nga klubet u kërkua të rrisin nivelin e organizimit, në mënyrë që të rritet edhe cilësia e ligës.
Nga ky projekt 20 lojtare të secilit klub të Ligës së Parë (femrat) do të përfitojnë çdo muaj gjatë kalendarit të garave nga 150 euro, derisa trajneri i skuadrës nga 250 euro. Ndërkaq, te klubet e Ligës U16 lojtaret do të subvencionohen me nga 100 euro, kurse trajneri me nga 250 euro.
Nëpërmjet këtij projekti synohet ngritja e cilësisë dhe të shihet se sa ka mundësi që nëpërmjet një subvencionimi të tillë trajnerët të nxjerrin talente të reja, të cilat do t’i shërbejnë klubeve por edhe ekipeve Kombëtare në të ardhmen.
Përfaqësuesit e klubeve u shprehën falënderues ndaj FFK-së për këtë projekt, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme për futbollin e femrave.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për fillimin e garave të stinorit pranveror, e ku kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave Vjollca Krasniqi dhe sekretari Salihu kërkuan respektim strikt të masave anti-Covid19 në mënyrë që të mos rrezikohen lojtaret, por edhe vetë vazhdimi i garave.
Po ashtu, në këtë takim u bë edhe tërheqja e shortit për rrethin e parë të Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave, me ç’rast u caktuan këto çifte:
Llapi – A&N
Intelektualet – Bazeli 2015
Vizioni – Mitrovica
Liria – Kosova VR
Kijeva – Malisheva
Jakova, kalon tutje.
Ndeshjet e këtij rrethi do të zhvillohen në mesjavën e ardhshme.