FFK gabon adresën për ankesë – UEFA thotë se duhet drejtuar kah FIFA
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) mbrëmë njoftoi se do të bëjë ankesë në UEFA ndaj Serbisë, e cila kualifikimin në Kupën e Botës e festoi në mënyrë skandaloze.
Futbollistët serbë festonin me fanella që përmbante një hartë serbe, ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë me mbishkrimin “Le të valëvitë flamuri i Serbisë nga Prizreni deri në Rumije (Mal të Zi)”.
FFK mbrëmë përmes një deklarate reagoi për festën nacionaliste dhe të tërbuar të Serbisë, duke thënë se shtëpia e futbollit kosovar do të bëjë ankesë në UEFA.
Por, sipas UEFA-s, FFK e ka gabuar adresën e ankesës, pasi me këtë punë nuk ka kompetenca të merret UEFA, por FIFA. “Për çfarëdo çështje disiplinore në lidhje me kualifikimet për Kupën e Botës në Evropë, ju kërkojmë t’i drejtoheni FIFA-s”, ka deklaruar UEFA për Gazetën Express.
Vlen të kujtohet se FIFA ishte ajo e cila kishte hapur procedurë disiplinore edhe ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit rreth ekseseve të ndodhura para pak javësh në Tiranë në ndeshjen mes Shqipërisë e Polonisë, për çka FIFA e dënoi Shqipërinë me 150 mijë franga dhe një ndeshje pa shikues.
Festa e Serbisë me fanella që kishte mbishkrimin “Le të valëvitë flamuri i Serbisë nga Prizreni deri në Rumije (Mal të Zi)”, është nga një këngë nacionaliste, e cila ishte himni i protestave të kishës në Malin e Zi në shtator.
Ceremonia e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, metropolitit Joanikije në Cetinje në Mal të Zi, u shoqërua me trazira të shumta. Ceremonia në Cetinje i kishte zemëruar malazezët, të cilët e vlerësuan atë si fyerje ndaj vështirësive të Malit të Zi për sovranitet dhe pavarësim nga Serbia, pjesë e së cilës ishte nga fundi i Luftës së Parë Botërore deri në vitin 2006.
Serbia e mposhti 2:1 Portugalinë midis Lisbonës të dielën, duke e siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2022.
Serbia udhëtoi drejt Lisbonës e vetëdijshme se një fitore do t’ia fitonte Grupin A dhe rrjedhimisht do t’ia siguronte një vend në Katar 2022.
Kombëtarja serbe e fitoi Grupin duke i mbledhur 20 pikë nga tetë ndeshje, ndërsa Portugalia ngeli e dyta me 17 pikë