Fetullah Terrorist Örgütü – FETÖ
732 të gjykuar, qindra të burgosur të dënuar e të vdekur. Ndër ta edhe intelektualë, mjekë, aktivistë të të drejtave të njeriut e gazetarë – të gjithë të pafajshëm. Ky ishte bilanci i aferës së njohur si Ergenekon e cili në vitin 2007 kishte dridhur Turqinë.
Të infiltruar në Polici, Prokurori, gjyqe, mjekësi ligjore e në Shërbimin Sekret Turk, pjesëtarët e lëvizjes Gulen që atëbotë njihej si lëvizja Hizmet, kishin arritur që të inskenonin aferën më të fortë të dënimit, pa fakte të një grupi të njerëzve kryesisht me bindje liberale.
Atëbotë, kishte pasur ankesa në drejtim të qeverisë, e cila udhëhiqej nga AKP-ja dhe Kryeministri Erdogan për cenimin e të drejtave të të burgosurve dhe burgosjet pa fakte nga ana e gjyqësisë. Pushteti ishte përgjigjur se në këtë çështje nuk ka mundësi që të intervenojë për shkak se kjo do të nënkuptonte ndërhyrje në punët e gjyqësorit dhe se për një ndërhyrje eventuale do të duhen prova të prekshme. Një arsyetim të cilin e dëgjojmë sot nga ana e institucioneve të Kosovës në raport me këtë organizatë.
10 vite më vonë, mu kjo organizatë, e cila në mungesë faktesh nga pushteti ishte konsideruar si inekzistente, kishte orkestruar tentim-puçin ushtarak si rezultat i të cilit kanë vdekur qindra qytetarë të pafajshëm në Turqi. Gjatë hulumtimeve të pas-tentim-puçit u kuptua se organizata kishte për qëllim rrëzimin e qeverisë dhe themelimin e një republike fundamentale islamike të stilit të Iranit dhe kthimin e Gulenit në Turqi në stilin e Khoeminit, si kryeimam dhe udhëheqës shpirtëror e ligjor i Turqisë.
Prandaj, më duket absurd tentimi i vazhdueshëm i opininistëve në Kosovë për portretizim të pjesëtareve të FETOs si “qytetarë të pafajshëm turq të përndjekur nga dikatori Erdogan”.
Politikat e AKP-së dhe Presidentit Erdogan, edhe pse i zgjedhur përmes zgjedhjeve demokratike, mund të diskutohen dhe debatohen. Por FETO në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si opozitë e aq me pak si viktimë në Turqi. Pasi që opozita e tanishme e cila ka vuajtur me vite nga bandat e FETO-s të infiltruara në institucionet shtetit, nëse do të ishte në pushtet, nuk do të ishte kaq institucionaliste sikur AKP-ja në luftën kundër FETO-s. Unë jam i bindur se nëse në pushtet do të ishte ndonjë parti opozitare, deri me tani do të kishte tërhequr ambasadorët dhe shkëputur çfarëdo marrëdhënie me të gjitha shtetet të cilat i strehojnë pjesëtarët e kësaj organizate terroriste.
Në Turqi mund të ketë opozitë rreth metodave të qeverisjes së AKP-së, por të gjithë janë të unifikuar kur është fjala për luftën me FETO-n. Prandaj, animi kah FETO nuk nënkupton vetëm kundërshtim të pushtetit në Turqi, por kundërshtim të Turqisë si shtet e shoqëri.
Shërbim Sekret Transparent
Unë deri dje kam menduar se AKI është një agjenci e pavarur e cila i përgjigjet drejtpërdrejtë parlamentit, ndoshta pse do të duhej të ishte kështu. Por, dje u trishtova kur duke lexuar ligjin për AKI-në kuptova se kjo organizatë shumë e ndjeshme i përgjigjet drejtpërdrejt Kryeministrit dhe Presidentit. Kjo nënkupton që partia në pushtet ka kontroll të drejtpërdrejtë në një organizatë e cila ka kompetencë edhe për përgjimin e një numër aktivitetesh të tjera që shume lehtë mund të përdoren kundër oponentëve politik.
Unë mendoj se AKI do të duhej të ketë kompetenca të veproj sikur dje dhe t‘i përgjigjet drejtpërdrejtë Kuvendit e jo Qeverisë apo Presidentit.
Për më shumë, e kam të paqartë insistimin që politika të ndërhyjë në arrestimin e personave të pafajshëm apo të fajshëm. Kjo punë do të duhej të funksiononte si dje, ku AKI apo prokurori i dërgon policisë urdhër për arrestim e cila zbaton këtë urdhër pa ndërhyrje nga niveli politik. E kundërta më duket shkelje flagrante e të gjitha normave demokratike të vendeve të civilizuara.
Ndoshta, ne si qytetarë të thjeshtë kurrë nuk do t‘i kuptojmë arsyet konkrete se pse AKI-ja ka kërkuar arrestimin e këtyre personave, por nga ana tjetër mendoj se AKI-ja ndoshta është organizata e vetme e cila e ka për detyrë të jetë jo-transparente. Transparenca është në kundërshtim esencial me misionin e saj.