Festa e njerëzve të vdekur

Festa e njerëzve të vdekur

Në dy ditët e fundit të vitit të vjetër, 2017, i pashë do filma të mosvetshëm. Një prej tyre ishte “Ikiru” i regjisorit Akira Kurosawa. “Ikiru” në shqipen tonë të varfër i bjen “të jetosh”. Dhe të jetosh, për Kurosawën, është të bësh diçka me entuziazëm e përkushtim, si njeri. Regjisori i madh japonez e denoncon burokracinë dremitëse, ku gjërat zvarriten e zvarriten për të mos u kryer kurrë. Burokracia është thelbësisht jonjerëzore, e bile edhe antinjerëzore. Dhe kësisoj, i topitë mendjet e njerëzve që punojnë aty, iu vjedhë jetën, frymën, dëshirën. I zvetënon e i bën vegla. Kryepersonazhi i Kurosawas, pasi merr vesh që ka kancer, del nga dremitja dhe vendos të ‘jetojë’. Por, meqë zbavitjet nuk e zbavisin, ai vendos që të paktën të bëj një punë si duhet nga institucioni ku punon. E ndërton një park – me përçapjen e një njeriu ngulmues.

Në një tjetër film, me gjashtë rrëfime të ndryshme, ndodhet edhe ajo e një njeriu, Simon Fischer-it, që ndeshet me një burokraci të ngjashme, shurdhe e qorre. Atij i merret vetura pa të drejtë nga ato që ne i njohim si “merimanga”. Por, ankesat e tij nuk merren parasysh. Përpëlitja e tij që të merret me zyret që e shpërfillin i kushton me humbjen e punës e me divorcim nga gruaja. Shohim sesi, gëlltitja e padrejtësive bëhet një detyrim, mosrealizimi i të cilit të çon në mut. Por, Fischeri bën atë që një njeri duhet të bëj kur përballet me padrejtësitë. Nuk i pranon ato. Revoltohet. E hedhë në erë veturën e tij, të parkuar në vendin ku qëndrojnë veturat që ishin marrë nga merimanga shkaku i parkimit në vende ku nuk lejohej parkimi. Vetëm ky akt prej terroristi, e bën burokracinë qorre që t’i çelë sytë, e të hedhë shikimin përtej ngushtësisë së zyreve.

Si ngushtësia e pamësisë burokratike është edhe ngushtësia e pamësisë që krijohet vetëvetiu nga tabiatet e shprehitë tona të përditshme. Nga rendi moral. Fikja e shpirtërave ndodh edhe në rrugë, edhe në shtëpi, edhe nëpër kafene. Njerëzit nuk shohin matanë do kufijve trishtueshëm të ngushtë. Dhe bëhen kësisoj mosvet joautentikë, mosvet falls, si mallrat që i blejmë përditë në tregun tonë – të njerëzve të dorës së dytë. Kjo frymë e vdekjes vërehet më shumë se kurrë në natën e pritjes së vitit të ri.

Pikërisht paaftësia për t’u konformuar me një frymë të tillë vdekjeje, bëri që Matteo i filmit “The Best of Youth” të vetëvritej në natën e vitit të ri, i vetëm. Numri më i madh i vetëvrasjeve në botë, nga afër 1 milion mesatarisht gjatë gjithë vitit, ndodh pikërisht në natën e vitit të ri. Në natën kur jeta shfaqet cullak si e pakuptimtë, e trishtë, e e shëmtuar. Mund të keni dëgjuar për qindra-mijëra viktimat e luftës së tmerrshme në Siri, por jo edhe për numrin e përvitshëm të vetëvrasjeve. A thu pse? Epo, unë shpresoj që ky shkrim nuk po lexohet nga njerëz që përtojnë ta lodhin kryet. Ose nga njerëz të dehur. Ose nga njerëz që duan ‘harrim’ në plotësimin e kërkesave.

Një jetë joautentike është jetë e çuar dëm. E prishur. Një njeri që vdes duke lënë përshtypjen se nuk jetoi kurrë, nuk ndjell dhimbje. Një njeri i turmës, një punonjës zyre, sado i mirë qoftë, është i zëvendësueshëm. Vetëm jashtë turmës, si vetmitar, duke qenë i pazëvendësueshëm, ndillet dhimbje te njerëzit e tjerë. Një dhimbje të bukur që i jep edhe jetës kuptim. Niçe e thotë troç: mbinjeriu do të lindet nga një komb vetmitarësh. Jo nga njerëzit e turmës. Dhe poashtu që “ka një të drejtë sipas së cilës nuk mund t’ia marrësh jetën tjetrit, por asnjë të drejtë sipas së cilës nuk mund t’ia marrësh jetën vetes.” Po pra, pse të mos vdesësh nëse mendon se kjo është e drejtë. Më mirë të vdesësh, se të harrohesh e të fallsifikohesh. Për fat të keq, në ambientin e hirtë të Kosovës, vetëvrasja është ndër shenjat më të forta të jetës. Ndërsa dehja e konformizmi janë edhe më të këqija se feja. Shenja vdekjeje.

Vdekja e asnjë familjari nuk më ka goditë aq sa vdekja e Matteos në “The Best of Youth”. Ose, asnjë ngjarje reale nuk ka ndjellë dhimbje më të madhe te unë, sa faqet e fundit të librit “Vëllezërit Karamazov”. Në një test të çertifikuar autizmi, për çudi, ata që ndjenin dhimbje për personazhet e trilluara e jo për personat e vërtetë, cilësoheshin si autistë. Nëqoftë kështu atëherë mosvet për normalët dhe dhimbjet e tyre. Dhe për dëshirat që i parakuptojnë këto dhimbje.

Viti 2018 nuk do të jetë më ndryshe se viti 2017. Duhet të heqim dorë nga ‘babadimrat’. Ne të rriturit, me vetëdije e pranojmë se kjo figurë qesharake nuk ekziston, por në pavetëdije edhe më tej kemi prirje të besojmë te diçka e panjohur, nga rasti ose fati, ose nga ndonjë inteligjencë tejnatyrore. Kjo e bën gjithë shkëputjen tonë nga babadimri iluzore. Sepse, babadimri i fëmijëve 2-3 vjeçar, dhe babadimrat tanë të paformë te të cilët presim, kanë dallim vetëm në formë por jo edhe në përmbajtje. Supersticioni mbetë më i fuqishëm se kurrë për njerëz me kufij të ngushtë mendorë.

Është e trishtë të shohësh një familje që vazhdimisht performon të njëjtën skenë, me ndryshime sipërfaqësore, pas çdo viti që kalon. Më shumë se festë për një vit më të mirë, ajo ngjan në një ‘të pame’ për vdekjen e një viti që mund ta jetonim. Sepse, gëzimi ynë nuk është i dlirë, është falls. Është sa për të thënë. Sepse duhet. Sepse kështu bëjnë të tjerët. Ulen, pijnë, dehen, harrohen, dhe presin. Por, derisa ne presim, jeta ndodh. E ne e finalizojmë vdekjen tonë.

E keqja e kësaj kulture nuk janë kriminelët, siç mendohet rëndom. Ose festë-prishësit si puna e Matteos. Jo, ata janë e mira më e madhe. Ata janë njerëzit më të mëdhenj – siç shprehet Niçe te “Shndërrimi i të gjitha vlerave”. E keqja e këtij vendi janë njerëzit e zvetënuar, fallsët, që me një egërsi prej kafshe bëjnë përpjekje të luajnë skena që krijojnë ndjesitë e trishta të përjetësisë, përmes performimit të akteve të njëjta, përmes një bajatizimi të mosvetshëm të asaj që i thonë jetë.

Si kurdo, sheh sërish njerëz që bëjnë të njëjtat shaka, që thonë të njëjtat fjalë, si në dremitjen e rëndë burokratike. E vetmja gjë e rëndësishme është të ngjitesh sa më lart në hierarki. Të kesh pozitë sa më të mirë. Si në përpjekjet kafshërore të stërgjyshërve tanë, majmunëve, që të ngjiten në degë sa më të larta.

Nc, duhet luftë. Luftë e vazhdueshme kundër kufijve mendorë!

Shpërndaje në: