Fero në gjyq: I shtyhet seanca sepse i akuzuari tjetër ka ndërruar vendbanim

Fero në gjyq: I shtyhet seanca sepse i akuzuari tjetër ka ndërruar vendbanim

Mungesa e të akuzuarit për sulm, Mehmet Elshani, ka bërë që të shtyhet seanca fillestare e paraparë për të martën, në rastin ku së bashku me të po akuzohen edhe Avdullah Islami dhe Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero.

Islami po akuzohet për kanosje me përdorim të mjetit të rrezikshëm, kurse Shabani për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Elshani, gjykatësi Avni Syla tha se nga fletëkthesa rezulton se i njëjti ka ndërruar vendbanim.

Në këto rrethana, seanca e së martës u shty për 8 shtator, në ora 13:30.

Reklamë

Prezent në sallë të gjykimit ishin prokurori Bashkim Zeqa, të akuzuarit Feronit Shabani dhe Avdullah Islami, si dhe mbrojtësi i këtij të fundit, avokati Nazim Mehmeti.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2020.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Mehmet Elshani, më 22 mars 2018, rreth orës 13:15, pikërisht në rrugën “Iliaz Kodra” në Prishtinë, me dashje ka përdorë forcën ndaj të dëmtuarit Lorent Bajrami. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje të atëçastshme që kishte ndodhur në mes tyre, përderisa i dëmtuari po kërkonte vendparkim për veturën e tij, të dy fillimisht kishin debatuar me fjalë pastaj i pandehuri del nga vetura e tij dhe duke përdorë forcën fizike ndaj tij e kapë për gjoksi të dëmtuarin.

Me këtë, Elshani akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se në kohën edhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë, deri sa i pandehuri Elshani ka qenë duke e sulmuar të dëmtuarin Lorent Bajrami, i pandehuri Avdullah Islami i kishte drejtuar në kokë një mjet të metaltë të rrezikshëm, me të cilën seriozisht e kishte kanosur të dëmtuarin Bajrami, duke i thënë që të largohej nga aty, me qëllim të frikësimit të tij, duke i shkaktuar të njëjtit frikë dhe ankth.

Me këtë, Islami akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” me përdorim të mjetit të rrezikshëm, nga neni 185, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuzë thuhet se në kohën dhe vendin e njëjtë të cekur si më lartë, i pandehuri Feronit Shabani ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një Elektroshok me bateri të firmës TË-801TYPE, në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët e tilla.

Me këtë, Shabani akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

Shpërndaje në: