Ferat Shala: Qeveria e ardhshme bëhet nga opozita, në krye me Bedri Hamzën

Ferat Shala, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve dhe ka shprehur pritshmëritë e partisë për një rezultat më të lartë. Ai ka theksuar se një nga arsyet për këtë ka qenë kandidati Bedri Hamza, të cilin e ka cilësuar si një person të përgatitur dhe kompetent për detyrën e kryeministrit.
Megjithatë, ai pranoi se PDK-ja ka përfunduar si partia e dytë dhe se qytetarët kanë votuar për ndryshim, duke mbështetur partitë opozitare.
“Ne kemi pritë rezultat më të lartë, sepse kemi pasë arsye të presim. Një ndër arsyet është Bedri Hamza, i cili është shumë i përgatitur dhe kompetent për punën. Pastaj kemi pasë listën kandiduese që është një ndër më të mirat të mundshme që Kosova ka pasë ndonjëherë.Sidoqoftë, rezultati është ky që është dhe ne jemi partia e dytë. Besojmë fuqishëm që qytetarët kanë votuar për ndryshim, pra për partitë opozitare”, tha Shala.
Shala theksoi se shumica e qytetarëve janë për një qeveri të re, e cila, sipas tij, do të udhëhiqet nga Bedri Hamza dhe partitë opozitare.
“Pra, shumica e qytetarëve kanë deklaruar se janë për ndryshim dhe për një qeveri tjetër. Ajo qeveri, sigurisht që është e planifikuar sepse Kushtetuta dhe legjislacioni e jep se do të jetë qeveri e partive opozitare, e udhëhequr nga lideri opozitar, Bedri Hamza”.
Po ashtu, Shala theksoi se PDK-ja është e gatshme të bëjë koalicion me partitë opozitare nëse nuk krijohet një qeveri brenda afateve ligjore.
Ai beson se partitë opozitare kanë shumicën dhe mbështetjen e qytetarëve, duke shtuar se programi i Bedri Hamzës do të fillojë të zbatohet menjëherë pas marrjes së postit të kryeministrit.
“Kandidati jonë për kryeministër, Bedri Hamza e ka bërë të qartë qëndrimin e tij dhe të PDK-së. Ky është qëndrim që ka gjetur mbështetje dhe ka marrë votën e qytetarëve, ne si parti e mbështesim Kushtetutën e Kosovës, që nënkupton i kemi dhënë hapësirë shancë ligjore dhe kushtetuese, shumica që kanë fituar ta bëjnë qeverinë, nëse nuk e bën brenda afateve ligjore, ne jemi të bindur që i kemi mundësitë dhe aleancat me partitë opozitare që ta bëjmë qeverinë e ardhshme”, thotë Shala.
“Ne jemi të bindur sepse edhe numrat na tregojnë që partitë opozitare e kanë shumicën dhe besimin e qytetarëve në këtë vend. Nuk besoj që ka logjikë tjetër, përveç se të pajtohemi me shumicën e elektorale që kanë votu për partitë opozitare. Programi i Bedri Hamzës do të fillojë implementimin nga dita e parë e punës së tij, ashtu edhe siç e ka thënë në fushatë elektorale”, shtoi ai për Gazeta Blic.