Federata e do Vesel Demakun në Kombëtaren e Kosovës, por cilat janë problemet: Flet babai i tij

Federata e do Vesel Demakun në Kombëtaren e Kosovës, por cilat janë problemet: Flet babai i tij

Vesel Demaku dëshirohet me çdo kusht nga Kosova, por një ngërç juridik del se po zvarrit këtë procedurë, duke rrezikuar që gjithçka të dështojë. Për Nacionale babai i tij ka shpjeguar të gjitha detajet.

Për mesfushorin shkatërrues 22-vjeç me prejardhje nga Kosova, Vesel Demaku, ka filluar gjuetia tani e shumë kohë nga zyrtarët e FFK-së, për ta sjellë atë në gatishmëri të “dardanëve”. Deri te kjo nevojë vjen edhe si pasojë e ngecjes që po shfaq Kosova në repartin e mesfushës tani e katër vjet, ku asgjë nuk lëviz e gjithçka është në vendnumërim.

Pa marrë parasysh faktin që Kosova shpreh admirim për të dhe është e interesuar për shërbimet e tij, për fat të keq janë shfaqur pengesa rrugës, sa për të ndërlikuar gjithçka.

Megjithatë, kjo nuk e zbeh aspak dëshirën e madhe të lojtarit për t’iu bashkuar Kosovës, siç ka treguar babai i tij, Blerim Demaku.

Si qëndron e vërteta e plotë rreth përpjekjeve që Vesel Demaku të luajë për Kosovën?

Vesel Demaku ishte vazhdimisht pjesë e grupmoshave të reja te Kombëtarja e Austrisë. Fatkeqësisht për të, lëndimet filluan që t’i bëjnë probleme të mëdha, duke e lënë atë jashtë fushave të blerta për shumë kohë, sa për t’ia komprometuar disi edhe formën.

Në çdo rrethanë ai mbetet objektiv i qartë i Kosovës. Siç tregoi edhe babai i tij në proncimin dhënë për Nacionale, ai pa hezitim shfaq dëshirë t’u bashkohet “dardanëve”, por ligji rreth dyshtetësisë në Austri paraqet një bllokadë të theksuear në tërë këtë proces.



“Fatkeqësisht gjasat janë shumë të vogla që t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës. Arsyeja është sepse Austria nuk pranon dyshtetësinë, por ne jemi duke punuar me avokatë nëse ka disi ndonjë mundësi që t’i ketë dy nënshtetësitë. Përndryshe, djali ka qenë i gatshëm t’i bashkohej Kombëtares. Me dëshirën më të madhe do t’i bashkohej asaj”
, shpjegoi Blerim Demaku.

Vullnetin e të birit të vet për t’iu bashkuar Kosovës babai i tij nuk e sheh vetëm nga prizma patriotike, por edhe ndryshe.

“Zgjedhja që t’i bashkohet Kosovës është si pragmatike, ashtu edhe patriotike. Veseli me krenari mban emrin e babagjyshit të tij (Vesel Demakut), i cili është hero i Kosovës. Në fund, publikisht e falënderoj FFK-në dhe posaçërisht z.Bajram Shala për përpjekjet që Veseli t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës. Sido që të jetë, ne dhe e tërë familja Demaku i urojmë shumë suksese Kombëtares së Kosovës” nënvizoi ai./Nacionale 

Shpërndaje në: