Federata Spanjolle e Futbollit e zyrtarizon trajnerin zëvendësues për Kupën e Botës

Periskopi.com Sporti

Federata Spanjolle e Futbollit mori një vendim shokues sot në mëngjes, duke e shkarkuar trajnerin e saj, Julen Lopeteguin, transmeton Periskopi.

Aktualisht, Kombëtarja e Spanjës është e vetmja nga 32 kombëtaret pjesëmarrëse në Botërorin Rusia 2018, që ka mbetur pa kryetrajner.

Ky vendim erdhi pas lajmit se trajneri spanjoll 51 vjeçar, Lopetegui, dje bëri me dije se kishte nënshkruar kontratë me klubin e madh spanjoll Real Madrid – nga i cili ishte larguar papritmas fituesi i tre trofeve të Ligës së Kampionëve, Zinedine Zidane. Këtë lajm ia kishte komunikuar kreut të Federatës vetë trajneri tanimë i shkarkuar, por vetëm pesë minuta pas njoftimit zyrtar nga “Los Blancos”.

Kjo duket se e ka irrituar kreun e asaj që njihet si Federata Spanjolle e Futbollit, Luis Rubialesin, i cili në një konferencë për shtyp ka thënë se “Federata e kishte pa çare që të reagonte në lidhje me rastin”.

Kush do ta udhëheq Spanjën në Botërorin e 2018-s?

Gazeta Standard tha që pavarësisht shkarkimit, Lopetegui do të mbetej në krye të Kombëtares deri në përfundimin e Kupës së Botës. Por, Federata Spanjolle e Futbollit ka qenë e ashpër në reagimin e saj dhe kërkon që Lopetegui të largohet menjëherë, dhe në vend të tij të vihet Fernando Hierro.

Hierro – përcjell Periskopi  ka qenë ndihmës i Lopeteguit që nga viti 2017. Ai është një legjendë e Real Madridit dhe Kombëtares së Spanjës, por si trajner ka përvojë shumë të vogël. Hierro e ka trajnuar vetëm klubin e Oviedos, nga i cili u largua vitin e kaluar.

Mirëpo, edhe fati i Hierros me Spanjën do të lidhet me shumë gjasë vetëm deri në përfundim të aventurës së Spanjës në Kupën e Botës – pasi aty është vetëm si ushtrues detyre. Mundësia e vetme që Hierro të ketë një të ardhme në zanatin e trajnerit, është nëse “La Furia Roja” arrin të fitojë Kupën e Botës./Periskopi