Fazliji: Nuk e merituam humbjen nga Polonia, nëse do ishin prezent “Dardanët” do të ishim më të mirë
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje nga Polonia.
Vashat kosovare u mposhtën 1-2 nga Kombëtarja e Polonisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2023.
Liridona Syla kaloi ‘Dardanet’ fillimishit në epërsi në minutën e katërt, teksa Karolina Gec dhe Martyna Ëiankoëska shënuan për fitoren e polakeve, në minutat 18 dhe 35.
Pas ndeshjes trajnerja e Kombëtares së Kosovës, Afërdita Fazlija tha se futbollistet e Kosovës nuk e merituan humbjen nga polaket, ndonëse i vlerësoi si kombëtare.
‘Realisht, e kemi ditur se do të jetë një ndeshje e vështirë. Jemi munduar maksimalisht të përgatitemi pasi kishim shumë pak kohë, vetëm një stërvitje zyrtare. E kemi ditur forcën e Polonisë, kemi marrë masat, por është problem të gjitha të zbatohen. Kam pritur lojë të vështirë, por e kemi dhënë maksimumin siç kemi premtuar. Po ashtu në fund e patëm një rast të mirë. Bazuar në angazhimit që e patëm dhe golin e dytë aksidental që e pranuam, epilogu real i këtij takimi do të ishte barazimi’, është shprehur Fazlija që po ashtu ka pasur një kritikë për tifozët ‘Dardanët’.
‘Mungesa e ‘Dardanëve’ është një prej pikave më të dobëta, sepse po t’i kishim ata në tribuna do të ishim më të mirë. Ne do ta japim maksimumin si me publikë ashtu edhe pa publikë, por më ka mbetur peng që nuk patëm më shumë tifozë të pranishëm në tribuna’, shtoi ajo.