Faza të reja të normalizimit të vulgaritetit
Shtypja e fundit që ky pushtet i pati bërë demonstratës kundër Jabllanoviqit më 2015, e që përkonte me eksodin masiv të qytetarëve jashtë vendit shënjon një shpatë të re të Damokleut pas vjedhjes industriale të 2010-ës dhe prishjes së VLAN-it më 2014. Për mua aty markohet një prerje e re e historisë të paktën për gjeneratën që votoi sivjet. Që nga ai moment disi edhe për gjeneratat që sapo kanë mbushur nga 20 vjet, të jetuarit në zhvleftësim është racionalizuar. 2010-ta racionalizoi vjedhjen e votës si diçka krejt normale, 2014-ta dëshmoi pamundësinë e bashkimit në një kamp kundër lakmisë (meqë VLAN-i që në start doli se së pari duhej ta mposhtet lakminë e më pas hajninë e krimin) dhe në fund 2015-ta, dëshmoi që me gjithë shkarkimin e ministrit me qëndrime fashiste, demonstrimi kundër tij të kushtojë me rrahje e dhunë. Çuditërisht në janarin e parvjetmë, në krye të policisë qëndronte djali i dikujt që ka qëndruar më 1981, por kjo është temë tjetër.
2016-ta më pas solli rënie intensiteti në rezistencë, meqë njerëzit më shumë se sa për dy kauzat: demarkacionin e asociacionin demonstronin si të mpakur e të pashpresë; dy kauzat ishin vetëm preteksti i daljes, jo edhe ndjenja e saj. Që nga ajo kohë herë qëllimisht e herë intuitivisht kam vëzhguar orientimet e gjeneratës që sivjet votoi për herë të parë: kësaj gjenerate tashmë direkt a indirekt i ligjërohej se të jesh finok, dredharak, interes-ngushtë apo edhe hapur pro-vulgaritetit të këtij pushteti janë kredo personale e të përgjithshme të syqelësisë, zhdërvjelltësisë e gjindshmërisë. Kusht i kushteve ishte të jesh injorant, ose në rastin më të mirë mediokër: sa më pak që të lexosh, e sa më shpejtë e me zell t’i bashkoheshe partive të krimit, aq më shumë i kishe gjasat.
Pse të lexosh kur mund të dëgjosh hitin 500 milionë herë të klikuar të Eras? Janë budallenj klikeuesit e Bonbon-it, apo ti? Të jesh heshtak në rastin më të mirë shihej si para-përgatitje për nga do ia mbash, apo në rastin më të keq, si shenjë e limontisë a hutisë personale: “çka je met si gusa n’mjegull, kapu dikund!”. Një shok libërdashës po më thoshte mbrëmë se si në qytezën e tij po i thonë “i rrëshqitur”, meqë po hasin në refuzimin e tij t’i bashkohet PDK-së.
Një shok tjetër para disa ditësh pati të drejtë: Besim Dina me Oksigjenin shërbyen për mrekulli në vizuelimin e kriminalitetit si hajgarallëk: sot Adem Grabovci shikohet për të vrarë kotësinë, në vend se lajmet të raportojnë për ecajaken e procesit gjyqësor kundër tij. Krahas me të emisioni i Dina-s është më i shikuari në nivel vendi. Pra modeli i Grabovcit s’është i kriminelit, por i njeriut të zoti. Të jesh kriminel e të mos dënohesh, shitet si pragmatike e argëtuese. Një lloj dalzotje ndaj vetvetes meqë s’bëhet ndryshe. Sa për përgjimet e rrjedhura të “Prontos”, gjithë çka doli nga aty është normalizuar. Dje u rrah drejtori i medias që lëshoi në qarkullim ato përgjime, meqë cenoi trininë UÇK-hajni-kulturëargëtim që zhvleftëson peshën dhe fuqinë e fjalës si dhe çdo guxim tjetër pos atij të komandantëve.
Pra një thirrje e çuditshme për respekt ndaj guximit të dikujt në të kaluarën (në fakt nuk të kërkojnë as respekt por vetëm heshtje) që sot vlen i përligjur si negacion i guximeve potenciale tua: ata që guxojnë jemi ne, komandantët. Ky postulat përligjet si diçka e pashkruar: dije që je i pafuqishëm ndaj bëhu me ne në argëtimin e përgjithshëm që po e ofrojmë. Në fakt ajo që kërkohet është mbyllja e gojës karshi injorancës si arrogancë, dhe karshi shëmtisë që kontrabandohet nën velon e hedonizmit, formave të pasurimit dhe “rehatimit”.
Në të 90’tat, s’kishim ushtri por kishim estradë, më 98/99 estradë që pasurohet paralel me pjesëtarët e siujdhesës tjetër të qenies, komandantët, kurse sot komandantë që kërkojnë votë nga këngëtari. E rastësishme kjo? Jo aspak. Herë-herë këta kohabitonin: estrada i këndonte guerilës, teksa dy palët aspironin vetëm dhe vetëm pasurimin. Pasurim ky që ka zhvleftësuar edhe vetë ngrehinën inherente të prirjeve mbi të cilat janë ngritur këta njerëz, respektivisht zejet e tyre: guximin e talentin. E shteti i ri as s’ka ushtri të vetën e e as që muzika e lodhur e labinotëve ka ndonjë vlerë. Krahas guximit këta e kanë zhvleftësuar edhe detyrën e fisme të ndihmës për nevojtarin. E bëjnë për nevojtarë e jo-nevojtarë. E bëjnë sepse kanë milionat dhe nuk ju kushton. E bëjnë publikisht edhe për të të poshtëruar, edhe për të të nxjerrë të pafuqishëm edhe për ta bërë me dije rrugën që duhet ndjekur.
Votoi si votoi gjenerata e re, ajo para syve të saj ka fuqinë zhagitëse të llumit: të zhagiin ata që duan t’i blejnë edhe nja dy a tre deputetë: biznismen, këngëtar dhe motër mafiatiku. E pos që u bënë këngëtarë e sharllatanë deputetë, i thënçin kandidati për kryeministër negocion edhe me nivel parapolitik të atyre që po e bllokojnë ushtrinë siç qe rasti me nivelin Radojçiq. Radojçiq është shok i kriminelit tjetër Zvonko Vesellinoviq banda e të cilit vrau Enver Zymberin (vetë nisja me Enver Zymberin në veri flet për impotencën e kësaj klike). Vesellinoviq ka strehuar një kohë Enver Sekiraqën. Enver Sekiraqa me vite të tëra ishte i ledhatuari i politikës dhe i implikuar në lidhje dashurie me minimum një pjesëtare të estradës. Akoma i paqartë rebusi i quatrividriumit: mafi, politikë/biznes, estradë si zgjatime të kapitalizmit vulgar? Këtu kapitalizmi është Ati, pasurimi i Biri, kurse quatrividriumi në fjalë Shpirti i Shenjtë.
Prandaj edhe rënia që kanë në vota nënkupton krizë por jo edhe shkulmë përfundimtare meqë sorta e tyre ka racionalizuar gjithçka nga trinia e mëlartme. Zaten nuk është se nuk janë të mësuar të veprojnë në formula të tilla politike, si tabloja e dalur pas zgjedhjeve të fundit meqë deri më 2007 të paktën zyrtarisht ishin opozitë. Mos u habisni kur t’i shikoni të ulur në të njejtën tavolinë për të diskutuar edhe me Medën e Shefqet Krasniqin.
Vota e shkuar për VV’në erdhi në një kohë kur kjo e fundit u shndërrua në parti politike. Sa shpresëdhënëse aq edhe zhgënjyese. Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të jetë njëra nga partitë politike. Ajo duhet tani ose kurrë ta ketë mision emancipimin si mjet për të dalë nga kthetrat ku është degdisur ky vend e sidomos rinia e tij. Potencialet dhe mundësitë e saj nuk janë shteruar për diçka të tillë.