Shkruan: Agon Maliqi
Vitet 2015-16: Mundësia e mirë për ta përmbyllur dialogun me Serbinë përballet me dalldi kolektive nacionaliste për asociacion dhe demarkacion. Në Prishtinë zbarkojnë deri edhe Biden dhe Kerry për ta zhbllokuar situatën, por kot. Humbet mundësia për rrugë drejt anëtarësimit së paku në NATO, e mundshme në pako me Maqedoninë në vitin 2020. Hera e fundit që na viziton një nivel kaq i lartë.
Vitet 2018-2020: Dalldia kolektive për asociacion, përfshi edhe e Metropolitankave të shoqërisë civile tashmë flamurtare të patriotizmit, i bind shumë njerëz se ndoshta këtu nuk ka vend për zgjidhje multietnike. Provohet ideja e kufirit me mundësi për ta hapur rrugën jo vetëm për NATO por edhe OKB, por sërish përballet me dalldi. Dështon Thaçi. Provojnë diçka tjetër pa elemente kufijsh edhe Haradinaj dhe Hoti, mbërrijmë deri në Shtëpi të Bardhë, por tashmë kapitali politik i tyrë është i sosur. Rezultati: s’ka njohje, s’ka NATO, s’ka BE, s’ka konsolidim ndërkombëar të shtetësisë.
Vitet 2022-2023: Lufta në Ukrainë hap prap momentum dhe mundësi të re sepse përkohësisht dobësohet Rusia. Qeveri miqësore ndaj Kosovës gjithandej në perëndim dhe urgjencë për ta zhbllokuar Ballkanin, përfshi Kosovën. Pranohet nga Kurti një plan dhe pastaj refuzohet të zbatohet nga frika e pushtetit të brendshëm. Prioritet merr kontrolli policor mbi veriun me koston e izolimit dhe degradimit total të marrëdhënieve me aleatë. Rezultati: s’ka njohje, NATO gjithmonë e më larg sepse nuk shihesh si partner kredibil.
Epilogu… viti 2025: Kosova ndërkombëtarisht e cunguar nuk është as në Këshill të Evropës, as në NATO, e as nuk ka gjasa të jetë as kandidate për BE. Punët mirë me askend në një botë piranjash. Por gjithsesi krenare dhe me dinjitet ha fast food në veri dhe krekoset me një sovranitet i cili i varet nga mëshira e NATO-s, në vend se sot të ishte anëtare fuqiplotë e saj.
Nuk ka nevojë Serbia të bëjë asgjë teksa Kosova ia kryen shumicën e punëve. Fundja, qëllimi kryesor i luftës hibride dhe psikologjike është që kundërdërshtari t’i ndërmarrë me vetëdëshirë vendimet që ty të interesojnë.