Faton Peci dorëshlirë me paratë e shtetit, mbi 7 mijë e 500 euro i shpenzoi për ‘Darkën e Lamës’
Mbi 7 mijë euro i ka kushtuar Ministrisë së Bujqësisë, “Darka e Lamës”, e organizuar nga Faton Peci me dy dhjetor të këtij viti.
“Darka e Lamës”, e shtruar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci mbrëmjen e 02.12.2024, në ambientet e një restauranti në Prishtinë, kishte mbledhur përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadorë e zyrtarë të shtetit.
I pranishëm kishte qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili e ka falënderuar ministrin Peci “që i ka bërë bashkë”.
Sipas insajderit, fatura e dërguar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ‘Darka e Lamës’ i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 7 mijë e 560 euro.
Në këtë çmim kanë hyrë ushqim dhe pije.
Sipas përgjigjes së Ministrisë thuhet se në dark kishin qenë të ftuar akterë vendorë e ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve e ambasadave.
Kurti në këtë darkë, ishte i ulur në sofër bashkë me ministrin Peci, shefin e AKI-së, Petrit Ajetin, kryetarin Podujevës, Shpejtim Bulliqin.
Gjatë fjalimit, ministri Faton Peci ka thënë se këtë vit, “Darka e Lamës” është edhe një nderim për trashëgiminë dhe një reflektim mbi përpjekjet për të zhvilluar bujqësinë dhe sigurinë ushqimore të Kosovës.
Gjatë fjalimit ai e përmendi edhe ideatorin e “Darkës së Lamës”, ish-presidentin Ibrahim Rugova.
“Kremtimi i saj rikthen në kujtesë amanetin e Dr. Ibrahim Rugovës, që një nga prioritetet e tij ishte sigurimi i bukës së motmotit për qytetarët tanë”- ka thënë ai.