Fatmire Bujupi me mbulesë dhe prifti Don Izidor si edukatorë të fëmijëve tonë

Fatmire Bujupi me mbulesë dhe prifti Don Izidor si edukatorë të fëmijëve tonë

Në vazhdën e lajmeve që tregon katandisjen e një sistemi arsimor si ky i yni në Kosovë, pavarësisht se ku ndodhë ajo katandisje: në një kolegj privat, në një shkollë publike, në një shkollë diku në një fshat tejet malor, nuk ka rëndësi, e trason edhe lajmi për drejtorin e Don Boskos i cili ka disa fotografi që nuk kërkojnë ekspertizë të ndjehesh i shokuar.

Dikush tha se nëse një fotografi flet sa një mijë fjalë, atëherë, vërtetë fotografitë e drejtorit të Don Boskos, Don Izidor Lukic flasin sa njëmijë fjalë. Pavarësisht se ato duhet ta kenë një përfundim që do të vinte nga hetuesia, ne s’mund të druajmë që të japim ca mendime tona lidhur me fotografitë shokuese.

Fillimisht, nuk fotografitë të cilat në mos qofshin montazhë, pra në qofshin të vërteta, atëherë nuk kërkojnë ndonjë ekspertizë profesionale që të konstatosh se ato janë shokuese. Edhe më shokues është arsyetimi i Don Izidorit i cili thotë se “ka raporte prindërore me nxënësit e shkollës”. Raportet prindërore, për mua si prind, do të ishin tejet të mirëseardhura kudo që në të ardhmen do t’i dërgoja vajzat e mia në shkollë: pra në një kolegj si Don Bosko, në një shkollë tjetër…kudo qoftë. Mirëpo, në rast se njëra nga vajzat e mia do të kishte një fotografi si ato fotografitë e vajzave adoleshente me drejtorin e shkollës, për mua do të ishte shqetësuese e përtej.

Në shumicën nga fotografitë e ekspozuara në media, ku shihet drejtori Don Izidor me nxënëset, në gjuhën intime mund të përshkruhen si “fotografi ku një person (drejtori) përqafon me afsh personin tjetër (nxënësen) ”. Nëse do të donit ta shihnit vajzën tuaj në një pozicion të tillë nesër përkrah një drejtori të shkollës ku e keni dërguar për edukim e arsimim, atëherë lehtë mund t’ua kuptoj arsyetimin që ia bëni Don Izidorit.

Para disa muajsh, ishte një lajm se si një mësuese në një shkollë në Malishevë ishte përjashtuar për shkak të mbulesës. Fatmire Bujupi u largua nga shkolla, për shkak se prindërit e fëmijëve në Malishevë, po qanin para kamerave pasi që veshja islame e mësueses ishte e padëshirueshme për ta.

Rasti i Fatmire Bujupit dhe Don Izidorit, nuk janë raste ku ne debatin e shtrojmë në pikat ku do të duhej. Në katandisjen e një sistemi arsimor publiko – privat. Por ne e shtrojmë debatin te feja. Pra për ne, emri “Fatmire Bujupi’ flet diçka, sepse ajo diçka është se ‘ajo është një mësuese ME MBULESË’. Emri Don Izidor flet diçka sepse DON duhet të jetë një prift. Këtu nis dhe përfundon debate ynë. Ne nuk debatojmë më gjatë se si do të duhej si shtet ta kishim të rregulluar çështjen e arsimit, çështjen e edukimit të fëmijëve tonë nga Fatmire Bujupi me mbulesë dhe Don Izidori me fotografi plot afsh. Nëse gabon një mësues diçka, në një shkollë të largët në një fshat malor, për ne nuk duhet të ketë rëndësi. Vetëm duhet të mos gabojnë Don Izidori, prift dhe Fatmire Bujupi, një mësuese me mbulesë.

Pse disa raste i heshtim, disave u reagojmë e disa i ‘kapërcejmë si në mjegull’?

Rastit të Fatmire Bujupit i kemi reaguar shumë si shoqëri, derisa kemi bërë që ajo mësuese të largohet nga shkolla, sepse ka një copë shami n’kry. Për asgjë tjetër.

Rastit të një mësuesi në Has (kronikë që e transmetoi KTV ditë më parë) i cili u paska shkruar nxënësve mesazhe arabe në tabelë dhe u ka mësuar postulate të fesë islame, nuk i reaguam fare.

Ndërkaq, po e kapërcejmë në mjegull rastin e ‘drejtorit tonë si prind’, priftit Don Izidor. Sepse, jemi paksa hipokritë dhe frikacakë.

 

 

Shpërndaje në: