“Fatkeqësisht…” – Çka tha Lajçak mbrëmë për takimin e fundit me Bislimin e Petkoviqin

“Fatkeqësisht…” – Çka tha Lajçak mbrëmë për takimin e fundit me Bislimin e Petkoviqin

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, deri vonë të martën e javës së kaluar qëndruan në Bruksel, ku shkuan për gjetjen e një zgjidhjeje për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por pa sukses. Takimet e ndara me të dërguarin e Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak e më pas takimi trepalësh nuk rezultuan me arritjen e ndonjë dakordimi, shkruan Periskopi.

Për rreth shtatë orë u diskutuan një sërë çështjesh, ndërsa Lajçak tha se u pajtuan “për një numër të hapave të ardhshëm”.

Deri më 18 korrik, mbeti që Kosova dhe Serbia t’i dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin për zbatimin e marrëveshjes bazike, siç tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi atë natë.

Ai tha se në bazë të komenteve që do të dërgohen prej të dyja palëve, ndërmjetësit europianë do ta nxjerrin një propozim të ri për zbatimin e marrëveshjes.

Ndërsa mbrëmë, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak duke e bërë një rezyme të punës së tij javore në Facebook , ka folur edhe për takimin që ka pasur javën e kaluar me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Ai ka thënë se pas disa orëve diskutimesh intensive kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm konkretë për disa çështje praktike, por jo edhe për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

“Sapo fillova vizitën time në Londër pas një jave të ngarkuar, e cila filloi në Bruksel dhe përfundoi në Madrid. Në Bruksel, prita Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të ndjekur takimin e nivelit të lartë nga java e kaluar. Pas më shumë se shtatë orësh diskutime intensive, ramë dakord për hapat e ardhshëm konkretë mbi disa çështje praktike. Fatkeqësisht, nuk arritëm të bëjmë përparim në pamjen e madhe – zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Nga Brukseli, udhëtova në Madrid për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Grupit të Nivelit të Lartë të Forumit Ekonomik Botëror mbi Ndërvarësinë Strategjike dhe Takimin Vjetor të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. Të dy ngjarjet ishin jashtëzakonisht të dobishme për diskutimin e kursit të politikës evropiane dhe shkëmbimin e ideve me ekspertë dhe praktikues të politikave. Gjatë aktiviteteve, gjithashtu pata mundësinë të ritakohem me shumë nga kolegët dhe miqtë e mi të mirë. Njëherë në Madrid, gjithashtu shfrytëzova qëndrimin tim për të diskutuar zhvillimet në Ballkanin Perëndimor me Sekretarin Shtetëror për Çështjet Evropiane të Spanjës”, ka shkruar Lajçak.

Borrell bëri përpjekje muajin e shkuar që t’i ulë në tavolinë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq, por kryeministri vuri tri kushte për takimin: Dorëzimin e përgjegjësve për sulmin në Banjskë, nga Serbia tek autoritetet e Kosovës; Formalizimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit për zbatim të saj, nëpërmjet nënshkrimit të tyre; Tërheqjen e letrës së Serbisë adresuar në Bruksel, me të cilën Beogradi zyrtar tërhiqet nga disa pika të Marrëveshjes Bazë./Periskopi

Kurti: Kërkova nënshkrimin e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së Bërnabiq, dorëzimin e Radojiçiq

Lajçak pas takimit me Bislimin e Petkoviqin: Fatkeqësisht spatëm progres për zbatimin e marrëveshjes

Shpërndaje në: