Fansat e Barcelonës do të dashurohen edhe më shumë në Torresin, pasi të dëgjojnë fjalët e tij të para
Ferran Torres ka thënë gjatë prezantimit si lojtar i ri i Barcelonës të hënën se do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për ta kthyer gjigantin katalonas në majat e futbollit spanjoll dhe evropian.
Barcelona e bleu Ferran Torresin nga Manchester City për 55 milionë euro javën e kaluar.
Përfaqësuesi i Spanjës Torres nënshkroi kontratë pesëvjeçare me Barcelonën, e cila do ta mbajë atë në Camp Nou deri më 2026.
Ai u prezantua të hënën si lojtar i ri i Barçës përkrah presidentit të klubit, Joan Laporta, dhe mijëra tifozëve.
“Është një ëndërr, ne e njohim çfarë klubi është Barça, se sa madhështor është dhe unë do jap gjithçka që kam për ta kthyer Barçën aty ku e meriton të jetë”, tha Torres gjatë prezantimit si lojtar i Barçës në Camp Nou.
I pyetur çfarë e shtyu ta zgjedh Barçën, 21-vjeçari theksoi: “Gjithmonë kam dashur ta bëj këtë, shkova në City që një ditë të kthehem në njërin prej klubeve më të mëdha në Spanjë dhe nuk ngurrova aspak t’i bashkohem Barçës”.
Barcelona ende nuk e ka regjistruar atë si lojtar të vetin, pasi i duhet të shesë lojtarë paraprakisht për të bërë këtë.
Barça ka telashe financiare dhe një faturë të majme pagash, prandaj i duhet të bëjë shitje gjatë janarit për të krijuar hapësirë për regjistrimin e Torresit.