Familjarja e shefit të kabinetit të Kurtit ngritet në detyrë në ministrinë e Donika Gërvallës

Familjarja e shefit të kabinetit të Kurtit ngritet në detyrë në ministrinë e Donika Gërvallës

Në fund të vitit 2023, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte transferuar një nëpunëse të prokurimit, e cila më parë ishte punësuar në Komunën e Prishtinës, në kohën kur në pushtet ishte Lëvizja Vetëvendosje.

Bëhet fjalë për Kaltrina Dalipin, një të afërme të shefit të kabinetit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipit.

Ajo ishte vendosur në pozitën e zyrtares në sektorin e prokurimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Sipas dokumenteve që ka siguruar Demokracia.com, Dalipi është ngritur tani në detyrë, duke u emëruar zëvendësuese e Udhëheqëses së Divizionit të Prokurimit Publik në këtë ministri.

Në një vendim të MPJD-së të datës 25.10.2024,  thuhet:

“Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në mbështetje të nenit 18 të Ligjit nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, bazuar në Opinionin e DMZP-së të datës 30.09.2024, ka marrë vendimin në vijim:

  1. Znj. Kaltrina Dalipi caktohet si zëvendësuese e Udhëheqëses së Divizionit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
  2. Zyrtarja e përmendur në pikën 1 të këtij vendimi do të ushtrojë të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e kësaj pozite nga data 26.10.2024 deri më 25.04.2025.
  3. Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore obligohet për zbatimin e këtij vendimi.
  4. Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit.

Arsyetim:
Duke pasur parasysh se pozita e përmendur në pikën 1 është aktualisht e lirë dhe me qëllim të menaxhimit të duhur të punëve dhe përmbushjes së detyrave të këtij divizioni, bazuar në frymën e Opinionit të DMZP-së të datës 30.09.2024, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi”.

Në fillim të këtij viti, Demokracia.com kishte raportuar gjithashtu se në ministrinë e drejtuar nga Donika Gërvalla ishte punësuar si zyrtare e misionit diplomatik edhe Flaka Dalipi, e cila është motra e Kaltrina Dalipit.

Shpërndaje në: