Familjarizimi me Haradinajn: pranim e argëtim
Kjo bashkësi-turmë jona, e ka përbujtur Haradinajn. Në fakt e ka të familjarizuar në skuta të shpirtit e të qenies kahera, meqë në të sheh veten e deridjeshme, që sot ka rastisur t’ia kthej njëfarë sigurie që provinciali e mbars për kah vetë natyra e tij familjocentrike dhe mjedisi situativ. Siguri që me kohë e shkarkon ose i zbehet, por pa iu zhdukur kurrë përfundimisht. Përbrendësimi i Haradinajt, më ngjan disi në ato zonjat plaka e hijerënda, që teksa ndonjë delikuent lagjeje ua ka rrahur fëmiun a nipin, dalin dhe e mallkojnë rrahësin me gjuhë të rëndë ‘qytetare’, ia përbuzin origjinën, por kur ndodh të dëgjojnë se plangprishësi e ka gjetur belanë nga dikush që mund të ndryjë proviniencë dhe tendenca edhe me të ulëta, gëlojnë nga gëzimi, ndiejnë njëfarë satisfaksioni shpirtëror, njëfarë triumfalizmi të dalur nga pafuqia.
Ato i gëzohen shkallmimit të autoritetit nga autoriteti tjetër bash si në kohërat e veta, kur ndonjë trupmadh muskuloz mund t’i ketë mikluar teksa ua ka hequr qafesh ndonjë ngucakeq, por që kanë vazhduar ta përqeshin në paguximin e tyre. Formulimi që besoj se më së miri përshkruan relacionin pushtet-publik të ndërtuar pas ardhjes së Haradinajt është pikërisht ky: përqeshje në mosguxim – e për rrjedhojë edhe njëfarë lirie që ta lejon joserioziteti i racionalizuar i entitetit frikësues. Kurrë më i lirë të shashë, kurrë me i depersonalizuar ta ndërrosh gjendjen.
Haradinaj përjetohet si një riardhje e qëndrueshmërisë në situime të llojit “më keq s’bëhet”. E njëfarë rehatie gjysmëkohëshe që vije pas një rrahjeje në një stadium futbolli. Një rehati që mundëson situacione të gjindshmërisë volitëse: kur polici apo “i forti i mëhalles” pushteton mbi stadiumin, të përfshirët në stadium duke mos qenë subjekte, por situata frymore, kaplohen nga prirja e gjindshmërisë: ndërresat, shorcet, paratë, telefonët, orët e dorës, unazat/ari të lëna në zhveshtore/pranë stadiumit, shpëtohen (ose vidhen) fët e fët. Në fakt nuk është se i forti i mëhallës vetëm pushteton. Ai edhe mund të pushojë (madje pë disa ditë), dhe kjo vetëm sa e çliron stadiumin pikërisht në kushtet e aurës okupuese që policon mbi të! Kësëdore preket ajo që njihet si përfitim nga rrëmuja. Është inkarnim i dorëheqjes kolektive nga përballja në stadium (lexo: policiteti në publike).
Dorëheqje nga kauzat që nxirrnin shqiptarin e nemitur në rrugë, por që tashmë s’ka arsye pse të dalë, meqë Ramushi ka frerët mbi kauzën që nisi vetë. Policiteti e qytetaria ia lëshojnë vendin dorëzanisë: “Ramushi e ka nisë, Ramushi le te bitisë!”. Është pothuajse tragjike kjo, kur dihet se mbi gjysmën e pushtetit e ka të pjesëtuar nga AKR dhe të koalicionuarit e tjerë. Dhe në vend se të ketë dinamizëm opozitar, ka pajtim dhe zaptim me kushtet e reja në stadium. Kjo disi ma kujton verën e 2015-s në Turqi. Ishte po i njëjti popull turk që në më pak se tre muaj e ndëshkoi partinë e Erdoganit me -8%, por që ia fali prap nga rreziku i pandehur paqëndrueshmërisë në vend, duke e rikthyer AKP-në në fron me 48% të votave, pa nevojë koalicioni. Falja e policitetit, apo dorëzania ndaj autoritetit përlavdon më pas relatat feudale të rendit politik, ku plebsi s’di dhe s’ka pse të di çdo të bëjë senjori me “tokën e vet”.
Haradinaj shihet si tribun popullor i mbarsur mbi premisa të nderit, burrërisë e krenarisë, meqë themelet tona, e së këndejmi edhe struktura jonë kognitive është e ngjashme/vegjeton ngjashëm si Haradinaj dhe familja e tij. Premisa këto esencialisht para-moderne, meqë i shkojnë përshtat vetëm rendit kalorësiak, frymës romantike dhe besatimit militar e kurrnjëherë subjektifikimit, individual, moral e politik. Edhe Erdoganin energjik, por me IQ të ulët e ktheu frikërespekti dhe pandehmat e kaosit, edhe Ramushin nën-mediokër, të liruar nga Haga jo nga pafajësia por në mungesë provash, e mban frikërespekti e rreziku nga “anarkia”. Ligjërimi pushtetar post-Jabllanoviq del të jetë triumfues: nga përgjakja e njerëzve për shkarkimin e tij – tek një minutë heshtje për Ivanoviqin. Besatimi feudal i kryeministrit “se nuk do të lëshojë tokë” shtyen presidentin të njohur për mashtrime e meskinitet kah dermani i vetëm: loja e pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve. Izolimi, parapolitika, frika nga arrestimet në shërbim të zhveshjes gati totale të mesatarit nga policiteti.
Madje fakti i lirimit në mungesë provash vetëm sa e shton frikërespektin mbi një shtof njerëzish të brumosur në frikësim. Përfshirë këtu edhe frikërespektin e Konjufcës snob, dhe partisë së tij krejt indolente përballë autorietit të Haradinajt. Mjaftoi që ky i fundit të dukej i hatruar për dyshimet mbi Rikallon që të shukatet një opozitë të tërë. Vetë shumica e deputetëve të VV-së më pas nënshkruan mos-shkarimin e tij, Këtu fare nuk ka rëndësi pasja a mospasja e numrave në Kuvend, apo në ka diçka të vërtetë në pandehmat për Rikallon. Rëndësi ka zmbrapsja që u bë. Ndaj edhe show i fundit që Konjufca demonstroi në Kuvend – kësaj rradhe ndaj ministrit Gashi -as humor s’mund të quhet. Më shumë ngjan në një moment kotësie relaksuese prej kur pati mbrojtur Sami Lushtakun më shumë se Nuredin Lushtaku.
Përbujtimi i Haradinajt, dorën në zemer ndryn jo pak edhe nga përmbujtimi që kjo shoqëri ia ka bërë me kohë Mehdi Përgjegjajt – MEDËS. Po, po. Mos t’iu duket fare palidhe kjo. Për Medën të gjithë dijmë, por askush nuk flet. Ai nënvetëdijshëm nuk është pjesë e muhabeteve tona. Dijmë për bakshishet mijëraeuroshe që i vjelë nga dasmat, por ato miliona priremi të shohim si askidenca e bakshishe ‘ausllanderësh’. Jo, jo është më shumë se kaq: jemi vetë ne inkarnimi i gjallë i asaj sorte kulturore që ka pjellur Medat e Labat. Kush kujton pak nga skena artistike e fundviteve ’80 në Jugosllavi, di se si deficitarizmi kulturor i skenës jugosllave në agun e dekadës së fundit të shekullit 20, ishte aq i mjerë sa që krahas erës së barotit në ardhje, kishte një prirje të përçudnuar kulturore, e megjithatë interesante: fascinimi me romët. Në agun e zhvillimeve marremendëse kulturore mediokër si Bregoviq, Kusturica e Rexhepova çalldisnin e dalldisnin qymezët e pijetoret jugosllave nga Maribori deri në Gjevgjeli, në një kohë kur ne dukeshim të zënë me diçka edhe më madhore: Pajtimin e Gjaqeve.
Haradinaj heshtet meqë kësaj turme që i pëlqen të vetëquhet shoqëri, i kanë munguar injorantët e arrogantët e sinqertë. Sapo Haradinaj u tregua krejtësisht i sinqertë dhe u lëshua fare fare virgjërisht në veprime të akorduara me koeficientin e tij për gjynah, kjo shoqëri ndjeu rehati e çlirim. Natyrisht çlirim në atë që tejkalon identitaren: arratisje në argëtim, që vije nga lodhja por që kumbon zhvillime të mëdha. Që u bishtnon shqetësimeve. Prandaj edhe këtyre javëve qesh edhe Konjufca, qesh edhe Eliza Hoxha me kopjet në shishe të ujit, qeshim të gjithë. Është dehje për t’i ikur barrës tonelatëshe të përditshmërisë.