Familjarët e të zhdukurve e kanë humbur besimin në drejtësi

Familjarët e të zhdukurve e kanë humbur besimin në drejtësi

Javën që shkoi, institucionet identifikuan mbetjet mortore të tri viktimave të masakrës së Kralanit në Bishtazhin të Gjakovës, Sabedin Kryeziut, Mentor Kryeziut e Vehbi Halilajt. Lajmin se iu gjetën eshtrat e djalit, Kadri Kryeziu tha se zor e besoi. Ai dhe familjarët e personave të tjerë të zhdukur me dhunë, janë shprehur të zhgënjyer me punën e institucioneve në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ata, ndërkohë që ka kaluar një çerekshekull nga lufta, nuk kanë shpresë se mund të vendoset drejtësi për të afërmit e tyre.

Lufta nuk ka mbaruar ende për Kadri Kryeziun nga Mleqani i Malishevës. Jo pa u varrosur eshtrat e djalit Sabedinit, që iu gjetën në prag të 26-vjetorit të masakrës së Kralanit, prej ku policia serbe ia morën me dhunë, transmeton Periskopi.

“Kur u ardhë te unë, mi ka rënë djalit shkelm, çu tha se edhe ti koke i mirë me punu.. 98, 98 na i murrën aty i bënë rresht i nisen në njëfarë shpati… Send ma vështirë se me ta marrë evladin për skaj me thanë po ta çoj në kasaphane, a me ta pushkatu, s’ka ku me shku ma keq”, rrëfen ai.

Tortura e burrave në Kralan të Gjakovës zgjati tri-katër ditë, e më pas Kadriun e ndanë me djalin Sabedinin, asokohe 16-vjeçar. Të rinjtë i morën e më të moshuarit i nisën për Shqipëri.

“Veç ma që më ka mbetë pikë, a din, që më ka mbetë pikë, tri ditë e tri net kemi nejtë qaty pa hangër bukë, që ka shku untë. Qajo ma së shumti. Ka një lugë asi të vogël të çajit sheqer na qitke në dorë, qata me hangër, tybe drejt me të kallëzu, unë s’e hangra, ia dhashë, ia dhashë djalit”, thotë Kadriu.

Prej atëherë kur e ndanë e deri në të premten që shkoi, 82-vjeçari thotë se kurrë s’ka qenë i qetë, shkruan koha.

“Vallahi gjithë, s’ka pasë ditë po më doket e s’ka pasë sahat, që nuk më ka shku mendja veç me ia ditë varrin e me heq merakun”, shprehet nën lot.

Javën që shkoi institucionet identifikuan mbetjet mortore të tri viktimave të masakrës së Kralanit në Bishtazhin të Gjakovës, Sabedin Kryeziut, Mentor Kryeziut e Vehbi Halilajt. Lajmin se iu gjetën eshtrat e djalit, Kadriu tha se zor e besoi.

“Tha janë gjetë, thashë qysh bre Hysen u gjetën, kur ata i kanë djegë? Tash masi m’u ka lajmëru që është e sigurt, m’u ka lehtësu goxha fort puna”, thotë ai.

Eshtrat e djalit 18-vjeçar, Mentorit, do t’i kthehen edhe Maliq Kryeziut nga katundi Bubavec i Malishevës.

“Më ka thirrë në telefon dhe tu kajtë, Maliq tha mos u mërzit tha se Mentori është dalë në këtë treshen e Malishevës. Janë gjetë eshtrat e tij, tha. Edhe atëherë nuk e di as vetë çka me të thanë”, thotë Maliqi.

Historinë e torturës në Kralan e edhe atë të dhimbjes, Maliqi e ka të njëjtë me atë të Kryeziut. Mërzitet shumë kur e kujton se si e ndanë nga djali.

“Ka qenë ai momenti më i rëndë për mua në jetën tem se unë e kthejsha kokën nganjëherë e shifsha, po edhe ai e kthejke kokën tinëzisht me më pa sikur kërkonte ndihmën time, sikur donte me i ndihmu unë diçka, po nuk mundesha, nuk kisha mundësi, nuk kisha fuqi dhe ai në atë rrugën pa kthim unë në këtë rrugën knej”, thotë Maliqi.

Për familjarët, Maliqi thotë se ishin të dhimbshme 26 vjetët pa informacione për Mentorin.

“Ka pasë rast që kanë ardhur njerëzit tek unë dhe më kanë thanë kemi dëgjuar që Mentori të ka dërguar letër. O jo, pasha Zotin jo!”, shprehet ai.

Shteti që, eshtrat e djalit vonoi t’ia gjejë për më shumë se një çerek shekulli, Maliqi nuk ka shpresë se e sjell drejtësinë për të.

“Qeveria e Kosovës që nga paslufta e deri sot nuk e ka dhënë provimin me ne si familjarë të të pagjeturve”, shprehet i indinjuar ai.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se institucionet kanë mundur të bëjnë më shumë në çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

“Institucionet e Kosovës ndoshta kanë mundur të bëjnë më shumë në çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, lokalizimin e varrezave. Nga ana tjetër, nuk është mirë ta kritikojmë Qeverinë dhe autoritet, sepse edhe ata përballen me barriera ndër më të ndryshmet e një ndër më kryesoret është mosbashkëpunimi ndoshta me palën serbe, sigurisht që ka indicie se mund të ketë ende trupa në territorin e Serbisë ku autoritetet tona nuk kanë qasje”, deklaron Blakaj.

Ai është skeptik edhe se drejtësia për ta do të vijë.

“Për fat të keq nuk jemi fare optimistë për sjelljen e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës. Tashmë kanë kaluar 25 vjet nga përfundimi i luftës dhe është një numër shumë i vogël i individëve që janë dënuar për krime lufte”, shton Blakaj.

Sabedin Kryeziu pritet të varroset të premten, ndërkaq Mentor Kryeziu dhe Vehbi Halilaj do të varrosen më 4 prill në përvjetorin e “Masakrës së Kralanit”.

Shpërndaje në: