Familja Thaçi falënderon qytetarët që e ngushëlluan: Jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e madhe

Familja e ish-presidentit Hashim Thaçi, pas përfundimit të të pames për kryefamiljarin e tyre të ndjerë, Haxhi Thaçin, përmes një komunikate dërguar mediave i kanë falënderuar të gjithë qytetarët që ishin për ngushëllime në familjen e tyre, si dhe institucionet e liderët politikë për telegramet dhe thirrjet e tyre për ngushëllime.
“Jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e madhe që morëm nga mijëra qytetarë anekënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe diasporës shqiptare, nga fjalët e mira dhe mirësia e tyre”, thuhet ndër të tjera në falënderimin e familjes Thaçi.
Kjo është komunikata e plotë e familjes së presidentit Thaçi:
Në emër të familjes Thaçi, familjes së ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Hashim Thaçi, pas përfundimit të të pames për kryefamiljarin tonë, Haxhi Thaçin, i cili ndërroi jetë ditë më parë, i falënderojmë të gjithë qytetarët që gjatë këtyre ditëve na ngushëlluan dhe ndanë dhimbjen me ne.
Jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e madhe që morëm nga mijëra qytetarë anekënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe diasporës shqiptare, nga fjalët e mira dhe mirësia e tyre.
Po ashtu, Komunën e Skenderajt e falënderojmë për mbështetjen e parezervë në organizimin e ceremonisë së varrimit dhe aktiviteteve të përkujtimit dhe ngushëllimit, të cilat u organizuan nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, z. Fadil Nura.
Institucionet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe përfaqësitë diplomatike të shteteve mike i falënderojmë për telegramet e tyre të ngushëllimit, ndërsa liderët politikë shqiptarë i falënderojmë për thirrjet e tyre telefonike.
Mirësia juaj do të mbetet përherë me ne dhe do u jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen dhe forcën që na dhatë gjatë këtyre ditëve të pikëllimit.
Ju falënderojmë përzemërsisht të gjithëve!
Me respekt,
Familja Thaçi