Familja Gjokoviq: Në rastin e djalit tonë Novakut, fitoi e vërteta dhe drejtësia

Familja Gjokoviq: Në rastin e djalit tonë Novakut, fitoi e vërteta dhe drejtësia

Tenisti serb, Novak Gjokoviq është liruar të hënën, 10 janar, nga qendra e ndalimit në Australi, pasi gjykatësi, Anthony Kelly e konsideruar “të paarsyeshëm” vendimin e Qeverisë për të refuzuar hyrjen e tij në këtë shtet.

Sipas gjyqtarit Kelly, Gjokoviq duhet të lirohet menjëherë pas vendimit të gjykatës dhe të gjitha dokumentet, përfshirë pasaportën dhe dokumentet e udhëtimit do t’i kthehen atij.

Kështu, Gjokoviq mund të ketë mundësi që të luajë në turneun Australian Open dhe të fitojë titullin e 21-të Grand Slam.

Megjithatë, avokatët nga Qeveria federale i kanë thënë gjykatës se Ministria për Migrim është duke rezervuar të drejtën për të refuzuar sërish vizën e tenistit.

Pas vendimit, familja e Novak Gjokoviqit tha se “e vërteta dhe drejtësia” fituan.

“Ka qenë një sfidë e madhe për të gjithë ne si familje. Ne kemi bërë gjithçka që të respektojmë të gjitha protokollet. Ishim shumë emocionalë dhe është shumë e vështirë për ne që ta mbrojmë Novakun pa ofenduar askënd”, tha vëllai i tij, Gjorgje, në një konferencë për media të mbajtur të hënën në Beograd.

“E vërteta dhe drejtësia dolën në pah dhe dua të falënderoj sistemin ligjor të Australisë, siç është gjykatësi Kelly, i cili ishte i paanshëm dhe shqyrtoi të gjitha faktet prej momentit kur ai (Novak Gjokoviq) arriti në aeroportin e Melbërnit”, tha ai.

Novak Gjokoviq, 34-vjeçar, është mbajtur në një qendër ndalimi për migrantë prej 6 janarit.

Ai nuk është parë në publik prej kur ka shkuar në Australi.

Avokatët e tij kanë thënë se Gjokoviq është infektuar së fundi me koronavirus dhe ai dokument i ka siguruar shmangien nga rregulloret për koronavirus në Australi.

Sipas rregulloreve australiane, secili i huaj që hyn në këtë shtet, duhet të jetë i vaksinuar me dy doza kundër koronavirusit.

Megjithatë, Qeveria australiane kanë thënë se të huajve nuk ju garantohet hyrja në Australi, gjë që ka rritur dilemat nëse Qeveria do ta ndalojë atë sërish dhe ta dëbojë nga shteti.

Novak Gjokoviq ka folur vazhdimisht kundër vaksinimit kundër koronavirusit, mirëpo nuk e ka bërë të ditur kurrë statusin e tij të imunizimit.

Ai ka siguruar një përjashtim mjekësor nga dy panele mjekësore të organizatës që drejton turneun e tenisit dhe shteti i Viktorias.

Njoftimi i Gjokoviqit se ka siguruar një përjashtim dhe se do të niset drejt Melbërnit, është pritur me zemërim nga disa australianë, të cilët kanë qenë shumë të kufizuar prej kur ka shpërthyer pandemia.

 

Shpërndaje në: