Familja e Thaçit i reagon Speciales pasi nuk ia lejuan vizitën: Refuzimi është vetëm politik

Familja e Thaçit i reagon Speciales pasi nuk ia lejuan vizitën: Refuzimi është vetëm politik

Dhomat e Specializuara për Kosovën kanë refuzuar për herë të të dytë brenda pak kohësh kërkesën që ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të vizitojë babanë e tij të sëmurë. Familja e Thaçit kanë thënë se refuzimi përveç i padrejtë dhe johuman, është edhe politik, derisa gjendja e babait të tyre thonë se është përkeqësuar shumë kohën e fundit.

Një tjetër JO e ka marrë ish-presidenti Hashim Thaçi në kërkesën për t’u kthyer në Kosovë e të vizitojë babanë e tij të sëmurë.

Familja e tij, refuzimin e radhës nuk e ka pritur mirë, derisa përmendin se gjendja e Haxhi Thaçit ka shkuar duke u përkeqësuar.

Idriz Thaçi, vëlla i ish-drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, në një përgjigje me shkrim për Dukagjinin, kritikon specialen për vendimin, të cilin e konsideron jonjerëzor e politik.

“Babës i është përkeqësuar sërish gjendja shëndetësore dhe ai vazhdimisht po kërkon të flas me Hashimin, ta shoh atë. Kjo është e hera e tretë që po hospitalizohet brenda një periudhe të shkurtër dhe gjendja e tij çdoherë e më shumë po përkeqësohet. Përballë kësaj gjendjeje, refuzimi i vizitës së vëllait tonë nga ana e Dhomave të Specializuara është johuman, i padrejtë dhe shkelje e të drejtave të tij. Nuk ka procedurë apo rregullore që nuk ia mundëson vizitën, prandaj ky refuzim është vetëm politik”, ka thënë Thaçi.

Gjykata Speciale, njoftoi një ditë më parë, se sërish ka refuzuar kërkesën, e dytë që Hashim Thaçi, ka bërë përmes avokatëve, për të qëndruar në Kosovë, duke thënë se ka alternativa të tjera që ai të jetë në kontakt me babanë e tij.

“Trupi gjykues e ka refuzuar kërkesën e z.Thaci për këtë vizitë sepse situata e babit të z.Thaçi nuk ka ndryshuar dhe për këtë arsye nuk janë krijuar kushte për të lejuar vizitën në mbikëqyrje”, ka thënë zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle.

Skandal: Babai i Thaçit në gjendje të rëndë, Gjykata Speciale ia refuzon kërkesën për vizitë në Kosovë

Shpërndaje në: