Fajtorë për vdekjen e Maradonës, tetë persona nga stafi mjekësor përfundojnë në gjyq
Lajme të reja nga gjyqi për vdekjen e Diego Maradonës. Gjyqtari i Tigres, Orlando Diaz, vendosi të padisë tetë persona për vdekjen e ish-numrit 10 të Argjentinës, e ndodhur më 25 nëntor 2020. Mes tyre janë neurokirurgu Leopoldo Luque, psikiatri Agustina Cosachov dhe psikologu Carlos Diaz.
Ata do të gjykohen për veprën penale të vrasjes së thjeshtë me dashje. Burimet gjyqësore e raportuan këtë për “La Nacion”. Prillin e kaluar, grupi i prokurorëve përgjegjës për hetimin, i përbërë nga Laura Capra, Cosme Iribarren dhe Patricio Ferrari, i koordinuar nga Prokurori i Përgjithshëm i San Isidros, John Broyad, kishin paraqitur konkluzionet përkatëse.
Sipas tyre, tetë të akuzuarit për vrasje të thjeshtë do t’i nënshtrohen gjykimit. “Ne jemi në gjendje të pohojmë se personat që citohen sot në këtë kërkesë kanë pasur përgjegjësi penale për vdekjen e zotit Diego Armando Maradona, sipas shkallës së provizoritetit që kërkon kjo fazë procedurale”.
Gjykatësi Diaz refuzoi kërkesat për pushim të çështjes, të paraqitura nga Luque, Cosachov, Diaz, infermierët Ricardo Almiron dhe Gisela Dahiana Madrid, mjekja koordinuese e mjekësisë zvicerane Nancy Forlini, koordinatori i infermierisë Mariano Perroni dhe mjeku klinik Pedro Di Spagna.
Gjyqtari hetues refuzoi gjithashtu disa propozime për pushimin e hetimit, të përgatitura nga mbrojtësit e të pandehurve. “Të pandehurit, nga roli që mbanin, sigurisht kishin mundësinë fizike për ta evituar procesin kardiak që zhvilloi Maradona, një rrethanë që legjislacioni e kërkonte prej tyre, e rregulluar kjo edhe nga karta për mbrojtjen e shëndetit të pacientit”, – shpjegoi magjistrati në “La Nacion”.
Diego Maradona vdiq në moshën 60-vjeçare në një shtëpi me qira në lagjen San Andrés, në Benavìdez, në Tigre. Ai qëndroi aty për vetëm 15 ditë, mbërriti më 11 nëntor 2020, pas përfundimit të operacionit për një hematomë subdurale të kokës.
Ndër 13 konkluzionet e arritura nga ky komision mjekësor u argumentua: “Veprimi i ekipit shëndetësor përgjegjës për trajtimin e Maradonës ishte i pamjaftueshëm, i mangët dhe i pamatur. Diego filloi të vdiste të paktën 12 orë para orës 12:30 të datës 25.11. 2020.
Pra, ka shfaqur shenja të qarta të një periudhe agonie të zgjatur, kështu që konkludojmë se pacienti nuk është kontrolluar në mënyrë adekuate nga ora 12:30 e datës 25.11.2020. Shenjat kërcënuese për jetën e paraqitur nga pacienti janë injoruar.
Kujdesi infermieror gjatë qëndrimit në shtëpinë e Tigres, pas daljes nga klinika “Olivos”, është i mbushur me mangësi dhe parregullsi. Gjendja shëndetësore e pacientit është braktisur në fatin e saj”.