Fajon: BE ta pranojë Shqipërinë maksimumi deri në 2030-ën
Zëvëndëskryeministrja dhe Ministrja për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon në fjalën e saj në konferencën e përbashkët me homologun e saj nga Shqipëri, Igli Hasani, deklaroi se vitin e ardhshëm në Durrës do të hapet konsullata sllovene.
Duke u ndalur te dëshira dhe nevoja për intensifikimin e marrëdhënieve Shqipëri-Slloveni, Fajon u shpreh se duhen krijuar lidhje ajrore mes dy vendeve në të ardhmen.
Ajo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është fokusuar në fusha të ndryshme, por fusha ekonomike zë vendin kryesor.
Kjo e fundit deklaroi se Sllovenia është pjesë e shumë projekteve zhvillimore në Shqipëri, ndërsa u ndal te asistenca teknike e ofruar ndaj Shqipërisë për integrimin evropian.
Fajon garantoi se Sllovenia do jetë mbështetëse e sigurt e integrimit të Shqipërisë në BE.
Kurse, ministri Igli Hasani tha se ndër të tjera kanë diskutuar edhe për rrugëtimin drejt Evropës së bashkuar.
“Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në përmbushjen e reformave të domosdoshme. Qeveria shqiptare ka punuar fortë për zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, veçanërisht në reformën në drejtësi ku vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimi i institucioneve të reja në drejtësi janë thellësisht pozitiv. Ndërkohë që zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm është thelbësor. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shënuar një përparim të dukshëm ku nuk mungojnë edhe rastet e profiteve të larta por edhe konsolidimi i sistemit të drejtësisë së pavarur dhe efikas. Arritjet në këto fusha bëjnë që progresi i Shqipërisë të jetë i prekshëm dhe i dukshëm”, tha ai.