Faji i të gjithë neve: Të qenit këtu
Dücane CÜNDİOĞLU
(Interpretim ekzistencialist i filmave “Lady in a Cage” (1964) dhe “A Clockwork Orange” (1971))
Faji i të gjithë neve: Të qenit këtu
Po, po krejt faji ynë: të qenit këtu.
Një nga çirrjet të rrënjosura mbase më pashlyeshmi në mendjen time, ngelet pikërisht kjo klithmë në filmin “Lady in a Cage” (1964) të Walter Grauman-it.
Ballafaqimi më i befshëm me moskuptimin/mospakuptimësimin në ekzistencën njerëzore. Përballja më e thjeshtë dhe më ‘normale’ e mundshme me absurdin!*
Kotësia! Me fjalë tjera asgjëja. E pakuptimta. Boshllëku dhe hiçi.
Po ç’është ajo që kaq viskull e lakuriq e përplasë në vetëdijen e njeriut kotësinë si imazh?
Vdekja!
Vdekja…ajo që permes dhunës së pashkak i’a tregon fytyrën njeriut!
***
“Provova helmin e zjarrtë të kësaj shigjete. Për një çast ma bëri hi diamantin e shpirtit. Mu duk se hunda ime preku në hundën e hiçit. Nga goja vjella kafkën time.”
(Nexhip Fazëll Kësakyrek)
***
Vdekja e përfton njeriun në absurd. Reductio ad absurdum!
Pyes veten në e dijnë të rinjtë kuptimin e këtij termi të bukur: Përftim në absurd! T’i tregosh dikujt se një gjë është absurd!
Mu pse duhet të vdesim “këtu” dhe “tani” përftohemi drejt absurdit. Hiçësohemi sa çil e mshil sytë. Hiçi na prek hundën! E ga ankthi i vdekjes, mu aty, njeriu e vjell nga goja e vet kafkën! Kafkën e vet.
***
Çdo vetëdije që takon dhunën e pashkak, njoftohet me “absurdin”.
Kotësinë. Pakuptimësinë.
Ju lutem pashkakësinë dhe paqëllimshmërinë mos i merrni si konsiderata tautologjike.
Sepse mendja njerëzore nuk mund ta koncipojë pashkakësinë. Kurrë!
Po pra, kurrë s’mund ta kuptojë pashkakësinë! Dhe as ta shpjegojë!
Kjo sepse për ta kuptuar një objekt, një situatë, një ngjarje, i duhet ta rehatojë në zingjirin e shkakësive. Nëse arrin ta vëndoj/rehatoj, ateherë arrinë edhe ta kuptimësojë, pra arrinë që objektit, situatës a ngjarjes t’i japi formë kuptimore e shpjeguese. Pra ta plotësojë mozaikun.
Në të kundërtën, vazhdon të shikojë kot më kot. Në hiçin…në veten…në ekzistencën….
Për ta nxitur një debat më frytëdhënës mbi këtë temë u mbeshteta poashtu edhe në një vepër të njohur: Romanin “A Clockwork Orange” të Anthony Burgess-it.
Dhe natyrisht jo vetëm në një vepër letërsie, por edhe në një vepër arti…qëllojani: edhe në filmin e Stanley Kubrick-ut pra, që me tërë atë imagjinatën dhe krijimtarinë e tij mbresëlënëse do t’ia përshtaste kinemasë më 1971, veprën e tij, me po me të njejtin emër
***
Me këtë rast dua që këtu menjëherë ta hapë një parantezë të vogël:
A Clockwork Orange, në turqishte njihet si “Portokalli Automatik”, ndërkaq që francezët e kanë përkthyer pak më ndryshe: “Portokalli Mekanik”.
Por, kujt i bën në qe automatik a mekanik. S’është me rëndësi kjo. E rëndësishme, është pjesëza “orange”, “portokalli”!
Po të pyetesha unë, formulimi adekuat i kësaj shprehjeje do të duhej të ishte “Qenie Automatike”
Me tjera fjalë: “Robot”
Po pra, Qenia Automatike, që në të vërtetë është një robot, pra një makinë dhune. Një makinë e deprivuar nga zgjedhja, përgjegjësia dhe ndërgjegja. Një makinë dhune që e përballë vetëdijen e njeriut me fytyrën e vet të ftohtë dhe të boshatisur.
T’i hedhim një sy romanit nëse doni:
– “Quhesha Portokalli Automatik. Teksa dëgjoja J.S. Bah-un dhe teksa nisa ta rrokja e ta kuptoja madhështinë e kaftë të këtij mjeshtri gjerman, më vinte, t’i zhdepja edhe ata dy e t’i bëja copë copë në shtëpitë e tyre” (faqe 30)
Këtë makinë dhune, pra Aleks DeLarge’në s’do mend se duhet ta njihni vet, direkt nga produkti i Kubrickut!
Tërësinë e natyrës njerëzore. Me fjalë tjera, kafshën brenda njeriut. Kafshëroren.
***
Vijmë tek skena e gruas në kafaz, që të shohim pikën e përbashkët në mes dy replikash:
– “Çfarë krijesa jeni ju? Edhe kafshët janë më të mëshirshme se ju.
– Pse mos më qe ti e bekuar? Po, po ti…ti, a s’je edhe ti kafshë?
– Unë jam krijesë njerëzore. Krijesë që mendon, ndjenë…
– Por unë jam një kafshë. Ja mu tani, jam i tëri kafshë. Shumicën e kohës biles as kafshë s’mund t’jem. Zakonisht jam…ç’dreqin i thoshit atij: “fajtor”.
Eh mu asi…
Kjo skenë është thjesht e jashtëzakonshme. Ndër më të skajshmet të zhanrit noir. Shikojeni dhe diskutojeni!
Njëkohësisht shikoni edhe kafshën, kafshëroren brenda jush. Me kujdes!
***
Ah sikur ta kishim një mundësi që në xhunglën e kinemasë ta shkrepnim edhe dritën e urtësisë dhe filozofisë; Për shembull brenda një salloni të vogël, të bëheshim tok disa udhëtarë të së vërtetës…e një film të përzgjedhur ta shikonim së bashku duke e diskutuar gjerë e gjatë më pas!
Po të mundnin hundët tona ta prekin hundën e hiçit!
Do i vjellnim ateherë nga gojët tona kafkat.
Mbase edhe pas kësaj, do vazhdonim të flinim nëpër ulëset e parqeve të qytetit, por pa i ngjyrosur ato me emrat tanë borgjez.
Më parë se të turpëroheshim që mendimin, letersinë e artin ta lëshonim në duart e fëlliqura të profiterëve e zhvatësve, do e lëshonim veten me kënaqësi….vullnetarisht në duart e hiçit!
Përktheu Fatlum Sadiku