“Fusha si beton”, Çeku ia kishte dhënë 1.3 mil kompanisë që u regjistrua vetëm dy javë para shpalljes së kontratës
1.3 milionë euro i kishte ndarë Ministria e udhëhequr nga Hajrulla Çeku, për një kompani që ishte regjistruar vetëm 18 ditë para shpalljes së kontratës për renovimin e stadiumit “Fadil Vokrri”. Ankesat se gjendja e fushës nuk është e mirë kanë filluar qysh në ndeshjet e para të luajtura aty, e ende pa u zhvilluar loja e parë e Kombëtares së Kosovës.
Enis Rrustemi – Periskopi
Ndër ankesat e para për fushën e re të stadiumit “Fadil Vokrri” vijnë nga selektori i Kosovës, Franco Foda.
Ai gjatë konferencës së sotme për shtyp e kritikoi fushën e re në stadium, duke thënë se fusha nuk është fare në gjendje të mirë.
“Për herë të parë do të luajmë edhe ne në fushën e re, por me aq sa pash, fusha nuk është në gjendje perfekte”, ka thënë Foda.
Por, Foda nuk është i vetmi që u ankua në cilësinë e fushës së “Fadil Vokrrit”.
Saktësisht një javë më parë, ankesat e njëjta i patën edhe trajneri e lojtari i Legias së Varshavës, të cilët madje e cilësuan fushën si “beton”, menjëherë pas ndeshjes kualifikuese për Ligën e Konferencës ndaj Dritës.
“Duke parë skuadrën time, pyesja vetën nëse kishim bërë gjënë e duhur në stërvitje në Poloni, sepse vërtetë nuk mund ta përballonim fushën. Ishte e vështirë për të lëvizur topin, kjo është diçka për të menduar. Ishte një ndeshje në një teren të vështirë, kishte kushte jo të mira. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ngarkesa e nyjeve të futbollistëve pas një ndeshje në një fushë të tillë është më e madhe, duhet të kemi kujdes”, kishte thënë trajneri Goncalo Feio i Legias.
Edhe më i ashpër u tregua Tomas Pekhart, i cili edhe shënoi në ndeshjen ndaj Dritës.
“Ishte një ndeshje e vështirë, në një fushë shumë të keqe. Kjo fushë. Është një terren artificial i mbuluar me gurë. Ju vraponi mbi të si në beton. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në karrierën time”, kishte thënë lojtari i gjigantit polak.
Hulumtimi i Periskopit, pesë muaj më parë
Pesë muaj më parë, Periskopi pati raportuar pas një hulumtimi të bërë se tenderi për këto punime është bërë me procedurë negocimi, pa njoftuar paraprakisht për kontratë.
Kompania e cila u shpërblye me kontratë nga MKRS, ishte një kompani e regjistruar vetëm 18 ditë para se ta fitonte këtë tender.
Kontrata ishte nënshkruar me një grup operatorësh ekonomik nga Turqia me emër: HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C.; HATKO Dokuma Tekstil Insaat Taahhut ve Ticaret Ltd. Sti.; Hatko Uluslararasi Spor Teknolojileri A. S.
Kompania “HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C” është një kompani e regjistruar në ARBK më 26.02.2024 me pronar, Ali Gusan HATKO.
Në dokumentet e gjetura nga Periskopi, shihet se vetëm 18 ditë më pas, MKRS njofton mbi vendimin që ka marrë për ta shpërblyer në tenderin mbi 1.3 milionë euro këtë kompani.
Periskopi kishte arritur të sigurojë edhe çmimet e blerjes së makinerive/pajisjeve që do të përdoreshin për punimet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Siç ka parë Periskopi,kompania fituese ka blerë me çmimin më të lartë të mundshëm zhavorrin. Në përshkrimin që ka bërë kjo kompani shihet se zhavorrin e ka blerë me çmim prej 20 euro. Aty do të përdoret në sipërfaqen e fushës për 828 m2. E gjitha kjo pjesë, do t’i kushtojë hiç më pak se 16,560.00 euro.
Në pjesën tjetër, Furnizim dhe mbushje me rërë të pastër, të imët 0.2mm. Rëra duhet të jetë adekuate për vendosjen e Barit Hibrid me trashësi 25+5 cm sipas përshkrimit teknik të materialeve ca 2484 m2 – ka blerë me çmim 20 euro, ku gjithsej do t’i kushtojë 49,680.00 euro.
Kur dalim tek makineritë, kjo kompani ka blerë kositëse bari të firmës “HONDA”, me çmim 1,250.00 euro. Ajo ka blerë dy sosh prej tyre, ku gjithsej do të kushtojn 2,500.00 euro.
Më poshtë mund të shihni edhe çmimet e makinerive tjera.
Kohëzgjatja e kontratës dhënë nga MKRS-ja ishte për 4 muaj.
“Ekzekutimi i punëve ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe inxhinierisë, për ndërtimin e sistemit të ri të fushës së lojës, në përputhje rregulloret, udhëzimet teknike dhe produktet e specializuara për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA, në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në Prishtinë. Punët do të zbatohen në mënyrën më cilësore sipas kërkesës dhe specifikimit; bazuar në legjislacionin, rregulloret, normat standardet dhe kodet teknike [vendore dhe ndërkombëtare] në fuqi; në kufi të buxheteve dhe brenda afateve kohore të përcaktuara”, u tha në përshkrimin e kontratës së dhënë nga MKRS.
Vlen të theksohet se për këtë çështje, shqetësim ka ngritur edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të hetojë këtë kontratë me vlerë 1.3 milionë euro, ku sipas tij shuma e këtij tenderi nuk është as reale.
“Unë e kam ngritur në Kuvend këtë zhvatje, vjedhje, korrupsion të Qeverisë dhe kam kërkuar që Prokuroria të hetoj këtë rast, ku u “tretën” 1 milion euro me kontratën një burimore? Si u transferuan paret nga MKRS në OJQ dhe si u formua komision i përbashkët MKRS-FFK, me qëllim zhvatjen e 1 milion eurove”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Kujtojmë se në fund të nëntorit të vitit të kaluar stadiumi u mbyll, pasi UEFA nuk e kishte lejuar Ballkanin të luante aty në Ligën e Konferencës. /PERISKOPI/