Facebooku e zbulon një gabim që mund t’i ketë prekur 6.8 milionë përdorues
Zyrtarët e Facebookut kanë deklaruar sot se e kanë zbuluar një lëshim teknik që ka mundur të ndikojë në llogaritë e 6.8 milionë përdoruesve. Problemi ka të bëjë me hyrjen në Facebook dhe me ofrimin e qasjes në fotografi për palët e treta.
Kompania ka thënë se ky problem tashmë është rregulluar, por i njëjti ka mundur të ndikojë në llogaritë e gati 6.8 milionë përdoruesve të rrjetit social. Më saktësisht, lëshimi ka mundur t’i prekë 1500 aplikacione, të cilat janë të ndërtuara nga 876 zhvillues aplikacionesh. Zyrtarët kanë thënë se disa aplikacione të palëve të treta kanë pasur qasje në fotografi të cilat normalisht nuk do të duhej të ishin të qasshme për ta. Kjo ka ndodhur nga data 13 deri më 25 shtator të këtij viti.
Ky lëshim është problemi më i ri në vargun e disa problemeve të privatësisë me të cilat është përballur gjiganti teknologjik gjatë këtij viti, përfshirë skandalin e të dhënave me “Cambridge Analytica” dhe rreth 30 milionë llogarive të përdoruesve gjatë muajit tetor. Rrjedhimisht, vlera e aksioneve të kompanisë shënoi rënie për 1.3 për qind këtë të premte, shkruan “Reuters”