Faceblock: Përplasja e ashpër Australi vs Facebook – Si ky ligj mund të ndryshojë internetin
Platforma e rrjeteve sociale, Facebook, bllokoi të enjten shpërndarjen e përmbajtjeve të lajmeve në Australi, në përgjigje të një ligji të propozuar për mediat. Kritikat i drejtohen Facebook, pasi ndaloi informacionin mes një pandemie globale, ndërkohë që ligji i propozuar në Australi shtron pyetje në lidhje me lirinë e informacionit.
Çfarë është ligji i ri i Australisë për mediat?
Në korrik 2020, u prezantua një projekt-ligj në Australi që u mundëson botuesve të lajmeve që të negociojnë për kompesimin që marrin nga gjigantët e teknologjisë. Ligjet dhe kërkesat e reja prekin vetëm Google dhe Facebook, por nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së platformave të tjera.
Kritikët thanë se gjigantët e teknologjisë fitojnë shumë përmes përmbajtjes së mediave në internet, por nga ana tjetër nuk u japin atyre vlerën që u takon, ose u japin fare pak. Propozimi përfshin një rrjet të sigurt negociatash si një përpjekje për të parandaluar gjigantët e teknologjisë që të dominojnë negociatat me mediat e lajmeve.
Dhoma e Përfaqësuesve të Australisë tashmë e ka miratuar projekt-ligjin dhe Senati pritet të miratojë.
Pse Facebook dhe Google kundërshtojnë?
Facebook u shpreh se ligji i propozuar “keqkupton thelbësisht marrëdhëniet midis platformës sonë dhe botuesve që e përdorin atë”. Ndërkohë, Google ka shtuar negociatat me kompanitë australiane të mediave për licencimin e marrëveshjeve të përmbajtjes.
Kompanitë e teknologjisë janë përpjekur të kundërshtojnë ligjin, i cili ndikon te modeli i biznesit që i lejoi ato të bëheshin disa nga kompanitë më të pasura në botë. Të dy gjigantët e teknologjisë nuk kundërshtojnë të paguajnë për lajmet në internet. Ata tashmë paguajnë disa organizata të lajmeve për përmbajtjen. Por, do të preferonin të kishin epërsinë në përcaktimin e shumës që paguajnë.
Si ka reaguar Australia?
Kryeministri australian Scott Morrison tha në faqen e tij në Facebook se reagimi i kompanisë ndaj ligjit të propozuar ishte prova se gjigantët e teknologjisë besojnë se ata janë “më të mëdhenj se qeveritë”.
“Veprimet e Facebook për të bërë ‘unfriend’ Australinë sot, duke ndërprerë shërbimet thelbësore të informacionit mbi shëndetin dhe shërbimet e urgjencës, ishin sa arrogante aq edhe zhgënjyese”, tha Morrison.
Kryeministri la të kuptohet se do të vazhdojë procesin për të miratuar legjislacionin, pavarësisht nga përgjigjja e Facebook.
Si mundet që modeli Australian të ndryshojë internetin?
Në një hetim të Senatit Australian, shpikësi i World Wide Web (www), Tim Berners-Lee, paralajmëroi se prezantimi i një ligji që të paguan për këtë përmbajtje mund të ketë një ndikim të madh.
“Links janë thelbësorë për rrjetin,” shtoi ai, “Nëse ky precedent ndiqet diku tjetër, kjo mund ta bëjë rrjetin të pafunksionueshëm në të gjithë botën.”
A do të ndjekin vendet e tjera udhëheqjen e Australisë?
Angela Mills Wade, drejtoreshë ekzekutive e një grupi lobues për kompanitë mediatike në Europë, tha se modeli australian mund të frymëzojë rregulloret e reja të Bashkimit Europian.
Ligjvënësit e BE-së kanë vëzhguar nga afër situatën ndërsa negociojnë ndryshime për të rregulluar platformat dixhitale. Britania po planifikon gjithashtu rregullore të ngjashme.
“Reagimi i Facebook ndaj ligjit të Australisë tregoi se kompania u përpoq të mbrojë pozicionin e saj dominues dhe nuk u kushtoi vëmendje qytetarëve dhe klientëve që gjoja u shërben,” tha Henry Faure Walker, Kryetari i Shoqatës së Mediave të Lajmeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas rregullave të fundit për të drejtat e autorit, njësitë e lajmeve në vendet e BE ose të tjera vende mund të kërkojnë pagesa nga platformat dixhitale për përdorimin e përmbajtjes së tyre.
Të dy palët kanë nevojë për njëri-tjetrin. Google dhe Facebook kanë nevojë për botuesit që të popullarizojnë rezultatet e kërkimit dhe burimet e tyre për informacion të besueshëm, por edhe botuesit kanë nevojë për një vend ku të shfaqin përmbajtjen e tyre. Për vite me radhë, mediat thonë se Google dhe Facebook përfitojnë padrejtësisht nga lajmet e tyre dhe u japin shumë pak në këmbim.
Kritikë dhe njerëz të thjeshtë shkruajnë online se Facebook është mospërfillës dhe mendon se askush nuk bën dot pa platformën. “Çfarë ndodh nëse vërtetojmë se bëjmë edhe pa Facebook?” shkruajnë ata.
Burimet: Sydney Morning Herald, Deutsche Welle, Reuters, Agence France-Presse