Evropës i duhen mekanizma të rinj për të luftuar diskriminimin
Teksa në Shtetet e Bashkuara po nis gjyqi ndaj vrasësit të afro-amerikanit George Flozd, në Evropë dhe në Francë janë ashpëruar konfliktet e identitetit. Në vend se ta luftojë diskriminimin, qeveria franceze e udhëhequr nga Emmanuel Macron ka nisur një garë me të djathtën ekstreme se kush përndjek më shumë profesorët e shkencave sociale dhe të majtës, që pretendohet se janë shumë filo-islamikë.
Kjo është një çështje serioze, pasi në vend të kësaj lufte do të ishte më urgjente të krijohej një model i vërtetë francez dhe evropian për luftën kundër diskriminimit. Një model që e pranon realitetin e racizmit dhe që është në gjendje ta analizojë dhe korrigjojë atë, ndërsa e vendos luftën kundër diskriminimit në një kontekst më të përgjithshëm të politikës shoqërore me një thirrje më universale.
Le të fillojmë me çështjen e analizimit të racizmit. Shumë studime kanë treguar përhapjen e tij, por për momentin nuk ka një vëzhgues të diskriminimit që të garantojë një monitorim të vazhdueshëm të fakteve. Në Francë, Mbrojtësi i të Drejtave (autoriteti i pavarur për të luftuar diskriminimin) ka theksuar në raportet e tij diskriminimin në tregun e punës dhe në tregun e pasurive të patundshme, por nuk zotëron mjetet për të kryer një monitorim sistematik.
Për shembull, në një studim të vitit 2014 të sponsorizuar nga Instituti Montaigne, studiuesit dërguan CV të rreme tek punëdhënësit në përgjigje të afërsisht 6 231 ofertave të punës dhe analizuan numrin e propozimeve për intervistë pune që morën. Kur përdorën emra të trilluar me origjinë myslimane, përgjigjet ishin shumë të pakta. Edhe emrat hebrenj u diskriminuan, por në një masë më të vogël. Problemi është se ky studim nuk është përditësuar, ndaj askush nuk e di nëse situata është përkeqësuar apo përmirësuar.
Në Francë dhe vendet e tjera evropiane ekziston një nevojë urgjente për një observator, për të treguar se si evoluojnë këta tregues çdo vit.
Ndërkohë, është thelbësore të matet se ku përqendrohet ky diskriminim. Ashtu si antisemitizmi apo homofobia, edhe islamofobia nuk është një dukuri fatale, dhe mund të kapërcehet. Observatori i Diskriminimit, që mund të vendoset nën autoritetin e Mbrojtësit të të Drejtave, duhet të sigurojë një monitorim vjetor të diskriminimit brenda kompanive (në paga, ngritje në detyrë, trajnim, etj.).
Për këtë arsye, në sondazhet për regjistrimin duhet të futen dhe pyetjet në lidhje me vendin e lindjes së prindërve. Pa këta tregues, është e pamundur të luftohet diskriminimi. Problemi është se e gjithë kjo nuk mund të bëhet pa futur kategori etnike të tilla si ato të përdorura në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar sipas parimit të diskriminimit pozitiv, pra trajtimit të pabarabartë në favor të atyre që i përkasin një pakice.
Ndërkohë, problemi tjetër nuk është aq shumë fakti që kjo është e ndaluar nga kushtetuta franceze. Por, përdorimi i kategorive të ngjashme do të rrezikonte të kristalizonte identitetet e përziera, pa treguar efektivitetin e tyre në luftën kundër diskriminimit.
Qëkur këto u përdorën këto kategori në regjistrimin në Britani në vitin 1991, diskriminimi në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka rënë në krahasim me vendet e tjera. Për më tepër, ka një konfuzion me përgjigjet: gjysma e njerëzve të lindur në Turqi, Egjipt ose Magreb e konsiderojnë veten “të bardhë”, të tjerët “aziatikë” ose “arabë.
Nëse asnjë vend evropian nuk e ka përsëritur këtë përvojë, arsyeja nuk është ndoshta vetëm se askush nuk shqetësohet për diskriminimin në Francë, Gjermani, Suedi ose Itali. Futja e pyetjeve në lidhje me vendlindjen e prindërve në regjistrat e popullsisë, do të shënonte njëfarë progresi.
Më në përgjithësi, politikat e diskriminimit pozitiv të zhvilluara nga kategoritë etnike në Shtetet e Bashkuara ose Mbretërinë e Bashkuar, kastat në Indi, apo ato territoriale në Francë janë shpesh hipokrite. Ato bëjnë të mundur vetëm pastrimin e ndërgjegjes së dikujt, duke lënë pas dore financimin e shërbimeve publike thelbësore për të thyer ciklin e pabarazive.
Siç tregoi Esma Benhenda në librin e saj “Të gjithë mësuesit e mirë”, paga mesatare për mësuesit në Francë rritet në përpjesëtim me numrin e studentëve që kanëpërparësi shoqërore në një institucion të caktuar arsimor. Pra, shpërblimet më të pakta u jepen mësuesve që punojnë në shkolla në periferitë më të varfra, dhe ato nuk janë të mjaftueshme për të kompensuar praninë e fortë mes tyre të mësuesve të pasigurt ose pa përvojë.
Kur në shkollat përgatitore universitare, krijohen një mijë bursa pa shtuar burime financiare për miliona studentë të disavantazhuar, kjo vetëm sa inkurajon një sistem arsimor të bazuar në pabarazi të mëdha. Ne duhet t’i japim vetes mjetet për të luftuar diskriminimin, por mbi të gjitha duhet të mbështesim politikat shoqërore universale, pa të cilat rruga drejt barazisë do të mbetet një iluzion. /Burimi: Internazionale/Në shqip nga: Bota.al/