Ekskursioni hutaq i Mogerinit
Ka një ndërlidhje tabloike (tërësi-pjesë) në mes vizitës së Mogerinit në Beograd, pengimit të fjalimit të saj nga radikalët e Sheshelit, protestës për lirimin e Haradinajt, si dhe vizitës së pasuar në Kosovë (në Prishtinë me tone urdhërore e në Mitrovicë gati me derdhje lotësh krokodili). Në fakt ka një relacion botëkuptimesh të ndryshme, e ku shenjuesit politik s’kanë aq fort rëndësi, pos si mishërime të atyre botëkupimeve. Kret kjo në prizmin e konfiktuimit të rebusit europian me atë ballkanik ne akset e tanishme gjeopolitike, që e dosido ka rrënjë në histori.
Mogerini dhe të gjithë para saj, përfaqësojnë një entitet politik që në kuintesencë në pjesën më të madhe të kohës s’ka qenë unik politikisht në vete, (aq më pak kulturalisht) sa ekonomikisht. Ideja europiane e pas Luftës së Dytë Botërore, ishte që në fillim ide me bazament ekonomik dhe tregtar në një kohë kur këndejpari, çështje ishte vetëm se në ç’masë varionte nga vendi në vend klimaksi i ndikimit sovjetik. Pra referuar historisë, kur të thuash Europë Moderne, nënkupton Protestantizëm, Sekularitet, Kapitalizëm, Revolucion Shkencor, iluminizëm, Industrializëm, por edhe Holokaust, dhe më pas edhe njëherë rigjallërim të idesë univeraliste. Homo economicus e Homo faber, mbi të gjitha.
Ndërkaq kur të thuash Ballkan ke thënë para së gjithash: të kaluar të rrënjosur në ortodoksi, katolicizëm, e islam, sekularizëm që asnjëherë nuk u shkëput vendosmërisht nga feja, nacionalizëm të ekstraktuar nga vetë Europa të përzier dhe me fe e që s’transhdentohet lehtë, tregti të ndikuar nga mafia e nëntoka (kjo zaten është kudo, mos t gënjejmë veten etj.), si dhe 40 e më shumë vite të qenit pjesë e një orbite komuniste, ku homo economicusi e homo faberi, po i visheshin si xhakatë atyrë që s’përjetuan kapitalizmin, por në vend të tij eksperimentin nacionalist, e ku “narod”, “nacija”, “populli”/”kombi” u ndjenë të ngulfatur nga shpjegimi proletar i botës. “Një pikpamjë/lëvizje e re nuk mund të pershtatet ne ontologji të ndryshme. Ndërmjet të dyjave qendron boshllëku qe ka krijuar historia, thotë Daryush Shayegan.
Europa historikisht ka pak përvojë me Ballkanin. Ka agjendë politike, ekonomike dhe tregtare sot, por jo edhe të kaluar vlerore e kulturore të ngjizur ngushtë me të. Nëse Ballkani ishte ndonjeherë Europë ishte më së shumti si Romë e Lindjes, pra si Bizant, por shtrohet pyetja sa e konsideron Europa vetë kulturën romake-lindore si trashigëmi të sajën (fakti se orientalizmi francez prodhoi emërtimin “Bizant” si për një jashtësi të europianes, flet jo pak).
Mishërimi më i madh i Ballkanit me Europën ngjau vetëm në 150-200 vjeçarin e fundit, kur Ballkani i’u ngjit në bisht karvanit europian të quajtur modernitet: permes idesë së shtetit komb që elitat e shkolluara në Europë (rilindasit nacionalistë ballkanik) e ekstraktuan nga revolucionarët europianë, pasuar prej romantizmit, industrializimit dhe permes kopjimeve arkitektonike. Kur kësaj i shtohet edhe përvoja komuniste e modernititeve ballkanike del se Mogerini vije në një territor të kopjes së kopjeve, meqë komunizmat ballkanik nuk i kishin për etër shkollarët reformatorë e mendimit marksist europian (Adornon, Horkhaimerin a Habermasin), por regjimistët, Lenin, Stalin e Brezhenjev në verzionin më autoritarist të mundshëm.
E kopja (e kopjes), funksionion jo si strukturë mentale autentike por nga ajo çfarë e ka përbrendësuar me kohë nga të tjerët. Dhe si gjithnjë, përderisa ruleti e konvulsionet e civilizimit vibrant europian rropaten qoftë kah pozitivja (funksionimi premtues i univeralizmit), qoftë kah negativja (nacionalizmi ksenofob, e djathta ekstreme etj.), këndejpari e shumta çfarë mund të ngjajë është që përmbyllja e proceseve kombëtare të përpiqet ta kapercejë “imagjinaren” (Anderson), duke pretenduar të bëhet reale, mbase sipas ndonjë kuti ballkanik win win, dhe duke u arsyetuar se spo bëjmë gjë më shumë se vetë europianët. Nëse ideja europiane e pas 45-tës u ndërtua mbi qarkullim të kapitalit njerëzor dhe atij të mallrave, një pjesë e mire e shteteve ballkanike linden mbi gërmadhat e perandorive shumëetnike osmane e habsburge dhe nga vendimet ad hoc, si rezultat i rreziqeve të përplasjeve të së pangjermanizmit me pansllavizmin e më vonë edhe me sovjetizmin.
Ndaj që simbolikën e dy kundërshtive, si atë të pales nacionaliste serbe si atë nga ajo shqiptare, nuk do e cilësoja si fajësi , as si aksident. Janë shkalla e autenticizuar e vetëdijes ballkanike. Për kah predikimet e planet, nacionalizmi i Sheshelit dhe ai shqiptar në Kosovë, dallojnë natyrisht. Ai serb është dëshmuar shumë më brutal dhe ka vepruar në komoditet, kurse ai shqiptar ka lindur nga paqarja, dhe vepron në një sfond kurthërimi të mospërvojës shtetërore, multiplifikimeve identitatare dhe konfliktit të gjeneratave. Por përkah vetëdija emancipuese nuk dallojnë edhe aq.
Nacionalizmi serb, si ai shqiptar janë aty për arsye të fiaskos së ideve që thirreshin në përparim por që predispononin të injorojnë gjithçka native. Dhe kur progresistët injorojnë gjithçka vendore, apo më mirë thënë kur kusht për progresin nuk janë shtyllat mbi të cilat u ngrit Europa e që mund të pajtohen me traditat lokale, por ndonjë shembull i jetesës boeme, ateherë dreq o bir kjo puna e ndriçimit. Iluminizmi nuk vije me stil jetese, por me autenticitet, vetërefkelsion e mosinjorim të sipërmarrësive sendërtuese të ngrehinës vendore. Kur Europa gjeneroi modernitetin ajo nuk e mori atë nga askush tjetër por i’a qepi vetes permes vetërefleksionit.
Nëse në të ardhmen e afërt nuk dalin shtresa progresiviste që nuk injorojnë gjithçka nga tradita, ateherë zgjidhjet nacionale, pa luftë, do të nisin të duken “historike”. Dhe për paradoks vërtetë do i bie ashtu, meqë do dëshmohej për herë të parë se serbët e shqiptarët po mirren vesh vetë. Dhe natyrisht në një rast të tillë prezenca e Mogerinit nuk do të ishte e nevojshme as në Beograd as në Prishtinë as në Mitrovicë. Meqë qyshtani ajo s’ka duar dot në ç’kurthurimin e nyjes mes gjuhës postmoderne të një Europe gjithnjë konvulzive dhe në ndryshim vs një areali që përjetoi modernizma rigjid; domosdosë ushtarake (hyrjes së Malit të Zi në NATO dhe nevojës që Mali i Zi t’i kontolloj pikat e larta malore përballë një hegjemonie potenciale [pro]ruse në Ballkan) vs sovranitetit që Kosovës po i kërkohet ta shkelë (principi bodianian grociusian që i bëri vetë shtetet-kombëtare europiane këto që janë!), si dhe universalizmit – ideja kantiane vs një situate europiane post-Brexit.