Eskalon përplasja mes AAK-së dhe LDK-së

Periskopi.com Lajme

Isa Mustafa, ka vazhduar në distancë polemikat me eksponentë të AAK-së.

I është përgjigjur Burim Ramadanit, që tha se shefi i tij nuk ka nevojë për këshillat e Mustafës. I ka quajtur të renditur si fishekë që mbrojnë symbyllur qeverinë e partinë e tyre.

“Po i lexoj disa reagime nga AAK në postimin tim. Për nj gjë s’mund e te mos pajtohem me ta. Janë organizuar dhe janë renditë si fishekë që ta mbrojnë partinë dhe qeverinë e tyre. Sikurse edhe ata të PDK-së. Nuk është me rëndësi çfarë thonë. Ti flet për lisa ata për fshesa, por reagojnë. Edhe të këqyrin në sy. E sa i përket LDK-së, iu shpreh ngushëllime që nuk do tu del ashtu si ata e paskan menduar. Unë nuk kam biseduar me ta!”, ka thënë Mustafa.

Ramadani, që është edhe zëvendësministër i FSK-së, ka thënë se Haradinaj nuk ka nevojë për këshillat e Mustafës.

“Paramendojeni ish-kryeministrin Mustafa sikurse të kishte thënë, ndër të tjera edhe këto 7 të vërteta: Qeveria ime ka bërë Kosovën me Ushtri; Qeveria ime i ka kthyer dinjitetin Kosovës, duke i vendosur tarifën mallrave të Serbisë, përkatësisht duke bërë Serbinë të paguaj për agresivitetin e vet; Qeveria ime e ka bërë Prishtinën me Ligj të veçantë, duke proceduar dhe miratuar në Kuvend; Qeveria ime i ka paguar borxhet Policëve; Qeveria ime i ka paguar borxhet zjarrfikësve; Qeveria ime ka themeluar Parkun Inovativ Gjerman; Qeveria ime ka themeluar Zonën Ekonomike Amerikane”, ka numëruar Ramadani, si suksese të Qeverisë Haradinaj.

“Ah, ndjesë, këto po t’i thoshte atëherë është duke folur për Kryeministrin Haradinaj. Sikurse paska thënë vet ‘nuk është e imja ta udhëzoj Kryeministrin’, kjo e sqaron saktë: Pra, Kryeministri Haradinaj nuk ka nevojë për udhëzimet e ish-kryeministrit Mustafa, sepse do të dështonte”, ka shtuar më tej Ramadani.

Lexo edhe: Mustafa krahason numrin e ish-kabinetit të tij me atë të Haradinajt

Në diskutim është përfshirë edhe deputeti Lumir Abdixhiku. Ky ka thënë se “Qeverinë njëmend s’mund ta këshillojmë”.

“Sepse zanatin e tyre s’e dimë. Për me i humbë 16,000 vende pune në vit e me mbushë Kosovën kazino – nuk dimë. Për me i falë 54 milionë euro Bektelit pa asnjë vlerësim, por mos me e dënu kur ajo vonon punimet – nuk dimë. Me ua fshi bizneseve të ujit 52 milion euro tatime pa asnjë kriter veçse “na u ka tekë” – nuk dimë. Me e mbushë kabinetin me 400 ministra, zëvendësministra e këshilltarë; nga të cilët plot nën aktakuzë e nëpër gjykatë – nuk dimë. Me shti me armë, me u sillë si kapadai qeveritarë, e në fund me thënë punë e madhe që e shkelim ligjin – nuk dimë. Me i ulë investimet e jashtme nga 400 milionë në vetëm 100, rekord i ulët historik – nuk dimë. Me dënu policë që hetojnë pushtetarë, e me promovu politikanë të zënë në hajni – nuk dimë. Me dështu në liberalizim, në secilin anëtarësim e me prodhu tërheqje njohjesh, 8 sosh – nuk dimë”, ka thënë Abdixhiku. “Këtu jeni të pakonkurrencë. Këtu s’mund t’iu ndihmojmë ne. Tashti, mllefi që shfaqni ndaj LDK-së, lidershipit, anëtarësisë e aktivistave tanë është tregues i frikës që iu ka kapë. Spo mund ta duroni një fakt; herë njëra e herë tjetra parti në pushtet. LDK po vjen. Po vjen shpejtë, fortë e qartë. Dëshirat tuaja për ndarje, përçarje e rënie të LDK-së kanë marrë fund. Me të marrin fund dhe të gjitha politikat e mbrapshta të kapjes në këtë vend”, ka shtuar Abdixhiku.

Shpërndaje në: