“Është mirë me shëndet”, vëllezërit e Hashim Thaçit kryejnë vizitën në EULEX

Vëllezërit e ish-presidentit Hashim Thaçi kanë përfunduar vizitën e tyre te ai në hapësirat e EULEX-it ku Thaçi kaloi natë.
“Është mirë me shëndet, s’kemi të drejtë me folë”, tha shkurt njëri prej vëllezërve pasi dolën nga EULEX, raporton T7, transmeton Periskopi.
Aktualisht në vizitë në EULEX po qëndron gruaja e Thaçit, Lumnije Thaçi, e cila u pa në veturë duke hyrë në zyrat e EULEX në Fushë Kosovë.
Haga e lejoi Thaçin që të qëndrojë në Kosovë për dy ditë në mënyrë që familjarët e tij të shkonin për ngushëllime në EULEX.
Tri ditë pas ceremonisë së varrimit të babait, Hashim Thaçit i është lejuar ardhja në Kosovë.
Ai të premten paradite ka ateruar ë Prishtinë e nga aty ka shkuar drejt Burojës për të vizituar varrin e babait që vdiq të dielën që shkoi në QKUK pas një sëmundje të gjatë.
Kjo është vizita e dytë në Kosovë e Hashim Thaçit brenda një intervali të shkurtër kohor.
Ish-Presidenti i vendit ka ardhur në Prishtinë më 13 mars ku për disa orë ka qëndruar në QKUK për të vizituar babanë që po trajtohej aty, që më vonë u kuptua se ishte në ditët e fundit të jetës.
Mbrojtja e tij ka kërkuar që Thaçi të vijë për varrim të martën në Burojë, por kjo vizitë s’është aprovuar nga Gjykata. Ardhja i është lejuar vetëm pasi ka përfunduar e pamja treditëshe që është mbajtur në sallën e sporteve në Skënderaj.
I përcjellë me masa të rrepta sigurie në një veturë të EULEX’it, e shoqëruar edhe nga vetura të policisë së Kosovës, Thaçi ka qëndruar në shtëpinë e familjes në Burojë për rreth dy orë nga ku ka dalë duke përshëndetur të pranishmit me një gisht që është vërejtur brenda automjetit me xhama të errët.
Thaçin sot do ta vizitojë familja për t’i shprehur ngushëllime për vdekjen e babait, e më pas ai do të kthehet në Hagë.
Gjykata e Hagës në një përgjigje dje për Gazetën Express ka thënë se vizita është aprovuar për “arsye bindëse humanitare”.
“Trupi gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë të mbikëqyrur në Kosovë për Hashim Thaçin që t’i bëjë nderimet dhe të jetë me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në kujdestari nga Dhomat e Specializuara”, ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatë Speciale, Michale Doyle