A është lufta në kodin gjenetik të njeriut?

A është lufta në kodin gjenetik të njeriut?

Çështja nëse lufta është koduar në gjenet tona, apo është shfaqur si pasojë qytetërimit, ka mahnitur për një kohë të gjatë këdo që është përpjekur të kuptojë shoqërinë njerëzore. A mundet që gatishmëria për të luftuar me grupet fqinje u ka dhënë paraardhësve tanë përparësi evolucioniste? Me konfliktet që ndodhin në gjithë botën, këto pyetje ndihmojnë për të kuptuar të shkuarën tonë, e ndoshta dhe të ardhmen.

Filozofët e Iluminizmit Thomas Hobbes dhe Jean-Jacques Rousseau kishin përfytyrime të ndryshme për parahistorinë. Hobbes-i i shikonte periudhat e hershme të njerëzimit të dominuara nga frika dhe lufta, kurse Rousseau-i mendonte se, pa ndihmën e qytetërimit, njerëzit do të ishin në paqe dhe harmoni me natyrën.

Debati vazhdon edhe sot. Pa një makinë kohe (që na kthen në të shkuarën) studiuesit që ekzaminojnë luftën në parahistori mbështeten më së shumti te arkeologjia, primatologjia dhe antropologjia.

Në fillim të këtij viti, u botuan detaje të njërit prej shembujve më interesantë të dhunës mes grupeve parahistorike – 27 skelete, përfshi fëmijë, u gjetën në Naturak, afër Lake Turkana, Kenia. Gjurmët e teheve në eshtra, kafkat e thyera dhe dëmtime të tjera treguan që kjo kishte qenë një masakër. Trupat ishin lënë të pavarrosur, afër një lagune në ish-bregun perëndimor të liqenit, rreth 10 000 vjet më parë.

Zbulimet e Natarukut pretendohet që janë gjurmët më të hershme të dhunës parahistorike të periudhës së gjuetisë. Një varr 12 000-14 000−vjeçar në Jebel Sahaba në Sudan mendohej më herët të ishte e para, por data e tij nuk është më e sigurt dhe ca pretendojnë se përderisa trupat ishin vendosur në varrezë ata ishin të lidhur me një vendbanim, dhe jo të periudhës së gjuetisë.

Provat për luftën bëhen më të qarta në zbulimet arkeologjike pas fillimit të revolucionit agrar rreth 10 000 vjet më parë, kur njerëzimi kaloi nga gjuetia dhe mbledhja në vendbanimet agrare. Lufta mund të ketë ekzistuar para asaj kohe, por ka shumë pak mbetje nga periudhat e para të Homo sapiens dhe shkaku i vdekjes është shumë i vështirë të kuptohet nga skeletet. Kjo do të thotë që për momentin, arkeologjia nuk është përfundimtare.

Shimpanzetë në betejë

Studimet e sjelljes së kafshëve ofrojnë një mënyrë tjetër për eksplorimin e debatit.

Zbulimi i Jane Goodall që shimpanzetë bëjnë luftë tronditi botën. Një grup në Tanzani u panë të rrihnin për vdekje anëtarët e një komuniteti rival, një nga një, para se të merrnin territorin e grupit të mundur. Pavarësisht përpjekjeve për të kundërshtuar zbulimet e Goodall, sjellje të ngjashme u zbuluan më vonë dhe në grupe të tjera dhe provat për ekzistencën e luftës te një nga të afërmit tanë u bënë të pakundërshtueshme.

Megjithatë, bonobot, që janë të ngjashëm me ne sa dhe shimpanzetë, janë më paqësorë, pavarësisht ca raportimeve anekdotike për agresion mes tyre. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të dallimeve në sistemet shoqërore të dy specieve. Për shembull, shoqëritë e bonobove janë të dominuara nga femrat, që ndoshta mbajnë të kontrolluar agresionin mashkullor, kurse hierarkia sociale e shimpanzeve është e dominuar nga meshkujt.

Si silleshin paraardhësit tanë të përbashkët? A ishin ata si shimpanzetë grindavece apo si bonobot paqësorë? Megjithëse paralelet mes të tria specieve janë interesante, përdorimi i tyre për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje është i vështirë, sepse në fund secila ndoqi rrugën e saj evolucioniste.

Por shimpanzetë tregojnë që ekziston lufta pa civilizim te specie të ngjashme me ne. Jo vetëm kjo, por ngjashmëri mund të vihen re dhe mes shimpanzeve dhe luftës së periudhës së gjuetisë dhe mbledhjes. Për shembull, te të dyja speciet, pabarazia në fuqinë dhe taktikat me rrezik të padëshiruar janë shpesh karakteristika të sulmeve: një grup shimpanzesh e sulmon një rival të vetëm, dhe grupet e gjuetarëve dhe mbledhësve u shmangen betejave të hapura në favor të luftës guerile dhe pritave.

Dy fise

Antropologët, njohja e të cilëve për shoqëritë “tradicionale” mund të na japë të dhëna për mënyrën e sjelljes së paraardhësve tanë, mbajtën gjithashtu anë në debatin Hobbes-Rousseau. Kërkimet e Margaret Mead në ishullin Samoa e shtynë atë të arrinte në përfundimin që “lufta është veç shpikje”, që nuk kishte ekzistuar para qytetërimit, kurse Napoleon Chagnon raportoi se mes fisit venezuelas Janomano, lufta dhe bastisja kundër fshatrave armike ishin diçka e zakonshme. Të dy u kritikuan: Mead që kishte anashkaluar provat e dukshme të dhunës në Samoa, dhe Chagnon për përdorimin jo të përshtatshëm të një shoqërie fermerësh në shkallë të vogël si një shpjegim për gjuetarët dhe mbledhësit parahistorikë.

Sigurisht, çdo shoqëri tradicionale që antropologët zgjedhin për të studiuar ka qenë e ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme. Dhe ato ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, përfshi dhe pjesëmarrjen e tyre në luftë. Por studime të hershme sugjerojnë që sulmet vdekjeprurëse ekzistonin mes ca grupeve të gjuetarëve dhe mbledhësve para kontaktit të tyre me shoqëri të tjera.

Waldemar Jochelson, që studioi fisin Jukaghir në Siberi në vitet 1890, i përshkroi ata sikur kishin persekutuar armiqtë e tyre si “egërsira”. Po kështu, andamanezët, në ishujt e izoluar në Gjirin e Bnegalit, kishin hasmëri të vjetra mes tyre dhe në të gdhirë kryenin bastisje në kampet armike.

Është e vështirë të thuhet që parahistoria nuk kishte agresion mes grupeve. Historiani ushtarak Azar Gat dhe psikologu evolucionist Stephen Pinker, mes disave, mbrojnë idenë që lufta ekzistonte para revolucionit agrar. Pinker pretendon gjithashtu se lufta ka ardhur duke u pakësuar përgjatë shekujve. Kjo mund të duket e vështirë të besohet duke pasur parasysh lajmet e zymta të vitit 2016, por një vështrim mbi historisë me lente të tillë zmadhuese përçon shpresë për të ardhmen.

Shpërndaje në: